E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Nëse Berisha na grabit mandatin e 9-të në Fier, PS nuk do t’i njohë zgjedhjet”

Kreu i PS-së: “KQZ dhe Berisha të tërhiqen nga qëllimi për të grabitur mandatin tonë”. Rama: “Partia Socialiste do të jetë një barrikadë ndaj palo qeverisë Berisha-Meta”

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka lëshuar një paralajmërim të fortë në drejtim të kryeministrit Sali Berisha. Rama i ka bërë thirrje Berishës që të mos grabisë atë çka ai e quajti mandatin e 9-të që Partia Socialiste ka fituar në qarkun e Fierit, pasi në rast të kundërt partia kryesore e opozitës nuk do t’i njohë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. “Mandati i 9-të i PS-së në Fier është një mandat të cilin populli i thjeshtë ia ka dhënë PS-së dhe nuk ka forcë mbi tokë që këtë mandat ia merr popullit të Fierit, duke ia marrë PS-së. Sali Berisha duhet të heqë dorë nga ky plan nëse nuk do që PS të mos i njohë zgjedhjet. Kjo nuk është çështje numrash, por e një principi themelor të demokracisë. Grabitja quhet grabitje, qoftë kur grabit 1, 10 apo 100, qofshin kur janë mandate apo çfarëdo qofshin”, - tha Rama. Këtë deklaratë kreu i PS-së e bëri dje, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste. Rama hodhi akuza të ashpra edhe në drejtim të KQZ-së si dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta.

Mandati i 9-të
Mandati i 9-të i fituar nga Partia Socialiste në qarkun e Fierit është kthyer në mollë sherri midis selisë rozë, KQZ-së dhe qeverisë. Për kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, askush nuk do të mund t’ia mohojë dot këtë mandat PS-së, as KQZ-ja dhe aq kryeministri Berisha. “Dua të rinënvizoj me shumë forcë atë çka kemi theksuar gjatë gjithë këtyre ditëve. Nuk do të lejojmë grabitjen e mandatit të 9-të në Fier. Maskarada e KQZ-së duhet të marrë fund, ashtu sikundër Sali Berisha, i cili e orkestron këtë maskaradë, duhet të heqë dorë nga ideja se mund të grabisë mandatin e 9-të të PS-së në Fier, nëse nuk do që PS të mos i njoh zgjedhjet. Është e patolerueshme dhe ne do ta bëjmë të pamundur që kjo palo qeveri në formim e sipër, ende pa u bërë qeveri, ta nisë me një grabitje të kësaj përmase. E theksoj edhe një herë tjetër, që jo vetëm mandati i 9-të në Fier, por edhe gjithçka tjetër që duhet të bëhet transparente për popullin sovran nga votimi i 28 qershorit do të zbardhet medoemos. Ne nuk tërhiqemi asnjë milimetër nga mbrojtja e interesit të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve për të mos lejuar që në vitin 2009, në mes të Europës, vota të cenohet dhe vullneti i popullit sovran të deformohet”, - tha Rama. Kreu i PS-së tha se kryeministri Berisha, përmes shumë mekanizmave, ka deformuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe se për këtë arsye Partia Socialiste do të angazhohet për dokumentimin dhe vërtetimin e këtyre manipulimeve.

Akuzat ndaj Metës

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka përsëritur akuzat në drejtim të kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Rama e akuzoi Metën se ka tradhtuar të majtën, ndërkohë që theksoi se Partia Socialiste është e vendosur për të qenë barrikadë ndaj qeverisë “Berisha-Meta”, të cilën e quajti një palo qeveri. “Ne jemi këtu për të garantuar Shqipërinë dhe shqiptarët se jemi shumë të vendosur që t’i shkojmë deri në fund këtij procesi, ashtu si kundër jemi shumë të vendosur që t’i bëhemi barrikadë kësaj krijese që po del nga marrëveshja e ulët, më e neveritshmja marrëveshje në historinë e këtyre 18 viteve, mes Sali Berishës dhe Ilir Metës. Pas asaj që Ilir Meta bëri askush nuk duhet të çuditet nga ato që Ilir Meta thotë. Dyfytyrësia e Ilir Metës doli në pah në një përmasë që askush nuk mund ta përfytyronte. Për fat të keq, 83 mijë njerëz që e votuan Ilir Metën për të hequr Sali Berishën, u kthyen në një mall që Ilir Meta u shiti për të blerë karriget e palo qeverisë që po rreket të formohet përmes kësaj marrëveshjeje. Kjo bëmë flet më shumë se gjithçka! Ilir Meta është i pabesueshëm në gjithçka thotë”, - deklaroi Rama. Ai mohoi se nuk i kishte bërë asnjë ofertë kreut të LSI-së, Ilir Meta, për bashkëqeverisje PS-LSI.

Kryesia e PS-së analizon situatën zgjedhore

Kryesia e Partisë Socialiste ka zhvilluar dje mbledhjen e parë që pas zhvillimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Mbledhja është zhvilluar në drejtimin e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe në epiqendër të saj kanë qenë diskutimet për situatën aktuale zgjedhore dhe rrugët që duhet të ndjekë Partia Socialiste, në kushtet kur asaj i janë mohuar të paktën dy mandate deputetësh.

7 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›