Turqia vret 100 militantë kurdë në Irak

Ushtria turke ka bërë të ditur të martën se ka vrarë 100 rebelë kurdë brenda gjashtë ditësh, gjatë sulmeve ajrore dhe artilerike mbi Irakun verior. Mirëpo, gueriljet e Partisë Punëtore të Kurdistanit e kanë kontestuar atë shifër dhe kanë ndërmarrë sulme të reja mbi Turqinë.
Sulmet e ndërmarra nga Turqia janë të parat në malet e Irakut verior pas më shumë se një viti dhe kanë për synim hakmarrjen për përhapjen e sulmeve guerile, pas dështimit të përpjekjeve për të arritur marrëveshje në konfliktin 27-vjeçar.
Ushtria turke ka bërë të ditur përmes një deklarate se aeroplanët kishin goditur 132 caqe të PKK-së, e cila e shfrytëzon veriun e Irakut si bazë për të ndërmarrë sulme mbi Turqinë, në luftën e saj për vetëqeverisjen kurde.