Bogdanoviç: Serbia e gatshme të reagojë

Serbia është e gatshme të reagojë në veri të Kosovës, nëse Prishtina do të ndërmerrte ndonjë aksion. Kjo nuk do të nënkuptonte zbatimin e dhunës, meqë të gjithë e dinë se në Kosovë nuk kemi ushtri dhe as polici, ka thënë të martën ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç.
Sipas tij Serbia i ka kuptuar seriozisht paralajmërimet e Prishtinës për zgjerimin e veprimeve të institucioneve të Kosovës në veri të vendit dhe këtë para 15 shtatorit.
“Duhet seriozisht të kuptojmë retorikën që vjen nga Prishtina, të paktën ne që jetojmë në Kosovë. Përvoja na mëson se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të ndjekim situatën”, tha ai, duke shtuar se Beogradi as pas 15 shtatorit, nuk do të lejojë që shteti i Kosovës të jetësohet.
Ai shtoi se Serbia nuk do të lejojë doganierët e Kosovës të jenë në pikat kufitare.