Turqit marrin me koncesion aeroportet e Maqedonisë
Kompania turke, TAV, nënshkroi dje kontratën për të marrë me koncesion për 20 vjet dy aeroportet ndërkombëtare civile të Maqedonisë, atë të Shkupit dhe atë të Ohrit. Marrëveshja parashikon një investim prej 200 milionë eurosh për modernizimin e dy aeroporteve, si dhe për analizimin e mundësive për ndërtimin e një aeroporti të ri mallrash me funksione transiti. Por në lidhje me aeroportin e mallrave, kompania TAV ka deklaruar se fillimisht duhet të kryhen studime meteorologjike, që pritet të zgjasin për më shumë se dhjetë vjet.
Në pajtim me marrëveshjen e koncesionit, TAV-i i garanton për vendet e punës të punësuarit në aeroportin e Shkupit dhe në atë të Ohrit, me të drejtat e tyre ekzistuese. Koncesioneri në aeroportin e Shkupit është obliguar në ndërtimin e ndërtesës së re terminale prej 40000 metrash katrorë, të vazhdohet pista e fluturimit-aterimit për 500 metra, të ndërtohet parkim për automobila, rrugë hyrëse me unazë të re, instalimin e sistemeve për navigacion, të ndërtohet infrastruktura e nevojshme komunale, përfundimi i ndërtimeve, ose ndërtesa të reja administrative, parkim të ri për flotën ajrore, si dhe furnizimi i pajisjeve të nevojshme për aeroportin,që të funksionojë në pajtim me standardet ndërkombëtare.
TAV-i turk operon në aeroporte në shtatë vende dhe u ofron shërbimet e tij 42 milionë pasagjerëve në vit. Në projektet për Maqedoninë parashikon të ardhura prej pesë milionë pasagjerëve në aeroportin e Shkupit dhe 0,2 milionë në atë të Ohrit.
#