Topalli i shkruan Ramës: Më sill kreun e grupit në mbledhje
Kuvendi ka vendosur të mbledhë Konferencën e Kryetarëve për të përfshirë në rendin normal të punimeve të tij edhe kërkesën e opozitës për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. Nisur nga kjo, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, me anë të një letre zyrtare drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe deputetëve firmëtarë të kësaj kërkese, i kërkon paraqitjen e kryetarit të grupit socialist për të qenë pjesë e kësaj mbledhje. Duke cituar edhe nenet e rregullores së Kuvendit në këtë letër, theksohet se PS-ja është e detyruar të paraqitet në këtë mbledhje. Topalli ka vendosur në letrën e saj që kjo mbledhje të mbahet paraditen e sotme. Sipas procedurave parlamentare pas kalimit të kësaj kërkese në Konferencën e Kryetarëve vendoset edhe koha në të cilën ajo do të shqyrtohet. Më pas, në datën e caktuar është Komisioni Parlamentar i Ligjeve ai që merr në dorë dhe shqyrton kërkesën për ngritjen e këtij komisioni. Pasi garantohet miratimi, atëherë kërkesa kalon në seancë plenare, ku merret edhe miratimi i deputetëve të tjerë. Në këtë linjë, dy ditë më parë nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço, sqaroi se socialistët duhet të ishin vetë prezentë gjatë kalimit të këtyre hallkave ligjore, mes të cilave pritet të kalojnë propozimet e tyre. Dy nismat ligjore të paraqitura pak ditë më parë në Kuvend nga Partia Socialiste kanë të bëjnë me hetimin parlamentar dhe me ndryshimin e rregullores së komisioneve hetimore. Në mënyrë specifike socialistët kanë sanksionuar çështjen e hapjes së kutive të votimit si e drejtë e komisionit hetimor parlamentar.
#