E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i ri Antimafia, trefishohen kërkesat për sekuestro

Gjashtë ndryshimet që e bëjnë më kompetente prokurorinë dhe gjykatën

Ligji “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimin nëpërmjet masave parandaluese të pasurisë”, i cili ka hyrë në fuqi më 24 janar të këtij viti, do t’i trefishojë kërkesat që institucioni i akuzës do t’i bëjë gjykatës. Ndërsa janë referuar çështjet e para, pritet së shpejti dhe vendimi i togave të zeza për pranimin ose jo të tyre. Më shumë se 20 dosje janë në shqyrtim dhe një pjesë e tyre janë referuar dhe pritet vetëm verdikti i gjykatës. Deri më tani, për këtë periudhë, nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, nuk është marrë asnjë vendim nga gjykata. Janë ndryshimet e bëra në ligjin e mëparshëm ato që do të mundësojnë shtrirjen e fushës së zbatimit të tij edhe në tri vepra të tjera penale, të cilat nuk ishin përfshirë në ligjin nr.9284 të shfuqizuar tashmë. Përveç kësaj, edhe pesë ndryshime të tjera esenciale e bëjnë këtë ligj “të rreptë” në ndëshkimin e personave të dyshuar për pjesëmarrje në krimin e organizuar dhe trafikim.

Kompetencat

Ligji nr.10192 duket se u jep kompetenca funksionale vetëm prokurorisë dhe gjykatës për të sekuestruar pasuritë. Nuk mund të merret asnjë masë pa një vendim gjyqësor të kërkuar nga prokurori. Për më tepër, prokuroria nuk mund të kërkojë sekuestrimin e çdo pasurie të dyshimtë, për çdo person të dyshimtë, por vetëm pasuri të atyre personave që janë subjekte të këtij ligji. Të tillë janë vetëm ata persona të cilët dyshohet se kanë lidhje me krimin e organizuar. Në ndryshim të qartë nga ligji nr.9284, 30.09.2004, ky ligj saktëson se masat parandaluese zbatohen ndaj pasurisë së personit që ka një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale.

Ndryshimet

Specialistë, të cilët kanë marrë pjesë në hartimin e ligjit të ri, konfirmojnë se në nenin 3, ku përcaktohet fusha e zbatimit, janë përfshirë edhe tri vepra të tjera penale parashikuar në nenet 283, 114/a dhe 287 të Kodit Penal. Më konkretisht, ky ligj zbatohet edhe në rastet e konstatimit të veprave penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, “Shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”, të cilat janë objekt hetimi të prokurorive të rretheve gjyqësore. Po në të njëjtin nen është shtuar edhe pika 3, ku thuhet se “masat parandaluese mund të kërkohen dhe ndaj trashëgimtarëve të personit, subjekt i zbatimit të këtij ligji, por, në çdo rast, jo më vonë se 5 vjet nga data e vdekjes”. Ligji i ri, ndryshe nga ai i mëparshmi, parashikon në nenin 7, ku flitet për kompetencat dhe përbërja e gjykatës, një pikë të re, atë me numër 2, ku përcaktohet se Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda, kërkesat për konfiskimin e pasurisë i gjykon me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë. Më parë, si kërkesa për sekuestrim, ashtu edhe ajo për konfiskim, vendosej nga një gjyqtar i vetëm. Një ndryshim tjetër esencial është shtimi i pikës 1 në nenin 13, ku përcaktohen rastet e revokimit të masës së sekuestros. Kjo pikë parashikon detyrimin e personit për të dorëzuar në tatime të gjitha burimet e të ardhurave. Një e re tjetër e ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 është pika 3 e nenit 14, ku parashikohet pozicioni i përmbaruesit gjyqësor, i cili inventarizon sendet e sekuestruara në prani të administratorit të pasurisë dhe zotëruesit të saj, mbi të cilin është marrë masa e sekuestros. Ndryshimi i fundit është shtimi i nenit 24, ku parashikohen rastet e pranimit të kërkesës për konfiskim. Në ligjin e mëparshëm, kur ndryshonte kualifikimi i veprës penale, pushohej gjykimi. Pra, gjykata mund të vendosë pranimin e kërkesës për konfiskim të pasurisë edhe kur procedimi penal pushohet nga organi procedues, pra edhe kur ndryshohet cilësimi juridik. Ministria e Drejtësisë e futi këtë nen për arsye të ndryshimit të kualifikimit të veprës penale dhe e lidhte atë me kohën e kryerjes së veprës penale.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›