E Shtunë, 31 Tetor 2026

U-21, Greqi-Shqiperi. Bushati: “Në Neapolis, fitore për flamurin”

Nga Dash Frashëri
EKSKLUZIVE - "Neapolis", ky është emri i stadiumit famëkeq për shqiptarët, ku do të luhet ditën e martë, më 6 shkurt 2007, miqësorja Greqi U-21-Shqipëri U-21. Trajneri Bushati vjen në përballje me grekët pas fitores së bujshme me Turqinë (0-2, gola të Bakaj me 11-m dhe Sukaj) në Stamboll, ku pas ndeshjes morri dhe përgëzimet e trajnerit të Kombëtares turke, Fatih Terim. Bushati është i bindur se grupi i tij do të japë maksimumin në Athinë, teksa beson se momenti i mirë psikologjik mund të prodhojë një tjetër rezultat pozitiv, qoftë edhe barazimin. Në një sondazh që vazhdon të jetë on-linë në faqen e internettit www.albania-sport.com, 70% e votuesve besojnë në fitoren e kuqezinjve, ndoshta edhe nga fakti që vizitorët e faqes dëshirojnë të hakmerren me rezultat për gjestin e tyrpshëm të tifozerisë greke, në takimin e vlefshëm për ndeshje zyrtare për eliminatoret e Kampionatit Europian U-21, kur një grup ultrasish grekë grisën flamurin shqiptar, fotot e së cilës bënë xhiro rreth botës dhe detyruan FIFA-n e UEFA-n të gjobiste federatën greke. Para nisjes për në rezidencën e Kombëtares U-21, në hotel "Leonardo" në Durrës, trajneri Bushati dha këtë intervistë ekskluzive për sitin Albania-sport.com. Zoti Bushati, një sukses i befasishëm ai i Shpresave me Turqinë (0-2) në Stamboll (më 17 janar 2007)... -Ishte një ndeshje që ne e kishim vlerësuar, pavarësisht se ajo kishte të bënte me një miqësore. Fitorja padyshim na shërbeu për rritjne morale të ekipit dhe kam bindjen e plotë se ka ndikuar pzotivisht te lojtarët, disa prej të cilëve zhvilluan edhe ndeshjen e tyre të parë ndërkombëtare me ekipin Kombëtar U-21. Testi shërbeu jashtëzakonisht shumë edhe në evidentimin dhe saktësimin e elementëve të cilët do të na shërbejnë shumë edhe në eliminatoret e Botërorit të Shpresave. Rezultati ishte vetëm një tregues i kënaqësisë sime, stafit apo dhe më gjërë, por ajo që unë dëshiroj të theksoj ishte cilësia e lojës që paraqiti ekipi ynë përballë një kundërshtari të përmasave të Turqisë. Vlerat që dëshmuan lojtarët në atë takim, por dhe cilësitë që ata posedojnë individualisht apo në lojën në grup, më bëjnë të shpresoj se në një të ardhme të afërt apo të largët, pjesa dërrmuese e tyre do të jenë pjesë e Kombëtares A. Në stadium ishte i pranishëm edhe trajneri i Kombëtares së Turqisë, i mirënjohuri Fatih Terim, prej të cilët morrët edhe konsiderata jo vetëm për fitoren, por dhe për grupin që paraqitët. Cfarë u tha ai? - Trajneri Terim shprehu konsideratat e tij për të gjithë ekipin dhe jo vetëm për mua personalisht, për vlerat lojtarëve shqiptarë për atë që shfaqën në fushë, ku në mëyrë të vecantë kishte mbetur i befasuar në interpretimin taktik të lojës. Pas dy ditës, ditën e martë, më 6 shkurt në Athinë, do të zhvillohet takimi i dytë miqësorë, Greqia U-21-Shqipëria U-21. Një ndeshje që ende pa startuar i ka kaluar përmasat e një ndeshje rutinë miqësore. A do ta përsërimim rezultatin pozitiv me Turqinë? - Është një ndeshje miqësore, që vjen vetëm pas tri javësh pas asaj me Turqinë. Në vlerësimin tim, ashtu si dhë në atë të drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit, ajo konsiderohet e një rëndësie të vecantë. Një përsëritje e suksesit me Turqinë do të ishte me shumë se një sukses i radhës. Pavarësisht tri mungesave (Sukaj, Hyka, Bakaj) do të luajmë me kontigjentin kryesor që kam në dispozicion. I kam përcaktuar lojtarët që do të luajnë, por zgjedhjen përfundimtare do ta bëj pak orë përpara fillimit zyrtar të takimit. Shpresoj se do të shfaqim vlerat më të mirë të futbollit shqiptar, gjë për të cilën une jam plotësisht i bindur. Greqia përballet me Shqipërinë U-21 pas një incidenti të turpshëm në një ndeshje zyrtare për eliminatoret e Kampionatit Europian U-21. Pavarësisht se asokohe trajner ka qënë paraardhësi juaj, Hasan Lika, sa mund të ndikojë psikologjikisht stadiumi famëkeq "Neapolis" dhe atmosfera aspak dashamirësë që pritet te lojtarët e rinj shqiptarë? - Besoj se kjo nuk do të ndikojë. Individët e vecantë që kryen aktin e grisje së flamurit të ekipit shqiptar, nuk janë tifozeria e vërtetë e Greqisë. Ekstremistët nuk kanë të bëjnë me futbollin, pasi ai nuk është pjesë e politikës. Futbolli është pjesë e Fair-Play dhe duhet të shërbejë si urë lidhëse midis dy popujve që gjatë historisë së tyre të kaluar apo dhe asaj qindra e mijëravjecare që do të vijë, do të përballen me qindra herë midis tyre. Shpresoj që edhe ky ballafaqim në Athinë të karakterizohet nga kjo frymë miqësie. Jam i bindur për këtë. Një nga temat e nxehta është "cështja Nini", i cili refuzoi në mënyrë përfundimtare ftesën e bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe ju si trajner i Shpresave. Për ndeshjen kundër Turqisë, klubi i tij Panathinaikos e refuzoi dërgimin e Ninit me argumentit se nuk ishte një datë e lirë zyrtare, ndërkohë që për ndeshjen kundër Greqisë, erdhi refuzimin kategorik i lojtarit 16-vjecar. - Fillimisht dua të pohoj se është një e drejtë e tij për të vendosur. Ne e kemi evidentuar si një talent dhe e ftuam në dy ndeshjet miqësore të këtij fillimviti. Nëse mosardhja e tij në Turqi u konsiderua si një vepër e klubit grek, refuzimi i ftesës së dytë, kishte të bënte me një vendim të vetë Sotir Ninit. Mua nuk më interesojnë se kush e ka shtyre apo e ka detyruar atë të veprojë kështu ndaj një vlerësimi të federatës sonë të futbollit. Cështja ka kaluar për një gjykim në FIFA dhe Federata Shqiptare e Futbollit do t'i bindet cdo vendimi të organizmit më të lartë botëror të futbollit. Në listën "Bushati" ndodhet edhe një futbollist që luan në kampionatin grek, portieri Enea Koliqi që aktivizohet me Iraklis. Lojtari ndodhet tashmë në Athinë në pritje të mbërritjes së ekipit (Shpresat nisen nesër në ora 07:00). Një ditë e vështirë për të, kur do të ndodhet nën presionin e tifozerisë greke. Sa i gatshëm është Koliqi, një njohës i futbollit grek? -Mbi të gjitha unë ruaj një konsideratë pozitive për Koliqin. Është një lojtar i mirë, ka ditur të tregojë formën e tij në të gjitha ndeshjet dhe për më tepër është një shqiptar i denjë për vendin e tij. Unë besoj te aftësitë e Koliqit dhe personalisht shpresoj se ai do të jetë një nga portierët e Kombëtares A. Në grupin e Greqisë U-21 ndodhet edhe shqiptari i natyralizuar së fundi si grek, Panajot Kone. Një tjetër arsye për ta intriguar më shumë këtë ndeshje? - Jemi të infomuar për këtë, por unë nuk e njoh personalisht lojtarin dhe nuk mund të shpreh asnjë konsiderate për të në lidhjen me vlerat e tij si futbollist. Fakti që luan te AEK natyrisht që i jep atij disa vlera, por në grupin tonë ndodhen lojtarë të tillë si organizatori Sefa, që luan me shumë sukses te kampionia e Shqipërisë, Tirana. Sefa është ambientuar me mentalitetin e fituesit, ashtu si Kone me stilin e futbollit grek. Në grupin e 18 lojtarëve ndodhet edhe golashënuesi i ri i Partizanit, Enco Malindi, autor i dy golave në fitoren e ditës së shtunë, ndaj Elbasanit, ekipit që ju e nxorrët nënkampion para dy sezonesh. A do ta shfrytëzoni momentin e mirë që po kalon 19-vjecari i kërkuar edhe nga ekipi grek AEK? - Malindi është një lojtar që duhet vlerësuar dhe testuar. Shpresoj se Greqia do të jetë një provë e rëndësishme për të. Prania e ndonjë menaxheri grek padyshim që do të shërbejë në motivimin e lojës së tij dhe shfaqjen e një figure të mirë. Bushati, post-Turqia iu përballi edhe me akuzat e lojtarit Henri Shiba, të cilat u publikuan në median e shkruar dhe atë elektronike. Sa qendrojnë akuzat e futbollistit, i cili para pak ditësh u huazua nga Rexhina te Pro Vasto, një ekip i kategorive të ulëta në Itali? - Nuk ia vlen të konsumohesh dhe të humbasësh kohë për probleme të tilla. Akuzat në shtyp të lojtarit Shiba rezultuan si trillime jo vetëm të futbollistit por dhe pjestarrëve të familjes së tij. Natyrisht, lojtari do të thirret kur ai të ketë pranuar gabimin e tij dhe të bëhet nëj futbollist që ta meritojnë fanelën e ekipit Kombëtar , qoftë ky U-21 apo A. Elis Bakaj ishte autori i golit të parë në Turqi dhe konsiderohej pas ndeshjes si një nga lojtarët me një vend të padiskutueshëm në Kombëtaren U-21. Cilat janë shpjegimet që mund të paraqesë Bushati në lidhje me motivet e mosthirrjes së tij? - Janë shumë të lexueshme arsyet e mosthirrjes së tij, pas refuzimit të Elis Bakaj ndaj ftesës së Federatës Shqiptare të Futbollit për të marrë pjesë në grumbullimin në Antalia të Turqisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›