Luan Krasniqi kundër “bishës” Brian Minto

Luan Krasniqi më në fund ka mësuar emrin e kundërshtarit të tij për përballjen e 17 marsit në "Hanns-Martin-Schleyer-Halle" të Shtutgartit. Boksieri kosovar që bokson nën flamurin gjerman do të përballet me amerikanin Brian Minto, i cili në ringun profesionist njihet me nofkën "Bisha". Lajmin e ka bërë të ditur e përditshmja gjermane "Bild" që njofton se tashmë është nënshkruar kontrata mes amerikanit dhe promoterit të Krasniqit, Klaus-Peter Kohl, duke i dhënë fund kështu shpresës së Krasniqit që të hakmerret ndaj amerikanit Lamon Breëster, i cili e kishte mposhtur boksierin kosovar në përballjen për titullin e kampionit të botës në versionin WBO më më 28 shtator të vitit 2005 në Hamburg me nokaut teknik në rundin e nëntë.
32-vjecari nga Pensilvania ka një karrierë të pasur prej 27 fitoreve (16 prej të cilave me nokaut) dhe vetëm një humbjeje gjatë karrierës së tij pesëvjecare në ringun profesionist. "Bisha" nuk ka pasur përballje me boksierë të mëdhenj të kategorisë së rëndë. Ai ka zhvilluar vetëm një përballje në Evropë, pikërisht mecin e tij të fundit duke mposhtur veteranin gjerman Axel Schulz. Në anën tjetër ish-kampioni i Evropës, Luan Krasniqi, ka një bilanc prej 29 fitoreve (14 me nokaut), 2 humbjeve dhe një barazimi në ringun profesionist.
Përballja e Brian Minto megjithëse mund të konsiderohet si jo shumë e vështirë për Krasniqin, gjithsesi nuk do t'i ndihmojë shumë për tu ngritur në renditjen e federatës WBO, pasi amerikani nuk është në mesin e 15 më të mirëve në asnjërën prej katër federatave më të rëndësishme të boksit profesionist.
Luan Krasniqi që synon titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë në versionin WBO, aktualisht renditet si sfiduesi i gjashtë në këtë version, ndërsa në versionin IBF renditet si sfiduesi i nëntë. Për të fituar pikë në renditje që do t'i mundësonte një tjetër mec për titullin e kampionit të botës, Krasniqit sipas të gjitha gjasave do t'i duhet të zhvillojë edhe një përballje tjetër me një boksier që renditet në "top 5" të WBO.
LIRIDON IBËRDEMAJ