Bashkimi edhe tri ditë në Kumanovë

Bashkimi i Kumanovës, stërvitjet po i zhvillon pa probleme. Pas largimit të disa lojtarëve nga ky klub, stafi teknik ka arritur që me kohë të sjell përforcimet e nevojshme në Kumanovë. Me këtë ekip janë duke u stërvitur 22 lojtarë. Toni Banduliev, ka lëshuar fazën e parë të përgatitjeve, por në "Banjat e Negorit" ai do t'i bashkangjitet Bashkimit. "Nuk kemi probleme me lojtarët, askush nuk ankohet në ndonjë lëndim", thotë Erkan Jusufi, ndihmëstrajner i Bashkimit. Ai më tej thotë se kanë mbetur edhe 3 ditë deri në përfundimin e fazës së parë përgatitore, e cila po zhvillohet në Kumanovë.
Është paraparë që ekspedita e Bashkimit të udhëtojë në Gjevgjeli, ndërsa do të numërojë 30 veta.
"Fazën e dytë të përgatitjeve sic kemi paralajmëruar do ta zhvillojmë në ‘Banjat e Negorit'. Drejt kësaj qendre do të udhëtojmë më 6 shkurt. Kemi paraparë të udhëtojnë 22 lojtarë, 3 portier dhe stafi teknik. Planifikojmë të zhvillojmë disa ndeshje kontrolluese. Me Teteksin e kemi caktuar një gjë të tillë. Presim që ekipit tonë shumë shpejtë t'i bashkangjitet edhe Toni Bandulievi, i cili fazën e parë të përgatitjeve e lëshoi për shkak të probleme shëndetësore", thotë Jusufi.
Ndryshe, burimet brenda klubit thonë se talenti i Bashkimit, Bunjamin Shabani, i cili gjendet në Lyn të Norvegjisë, ka zhvilluar dy ndeshje kontrolluese, ku pasur paraqitje shumë të mira.
Rijad Murati