U ankuan me vonesë, qindra njerëz mbeten pa votuar në Tiranë
Qindra banorë të qytetit të Tiranës i janë drejtuar dje gjykatës civile për të kërkuar të drejtën e votës për zgjedhjet parlamentare. Por kanë mbetur të zhgënjyer, pasi aplikimet për të drejtën e votës kishin përfunduar në orët e vona të ditës së premte. Kancelari i Gjykatës së Tiranës, Ilir Sauli, tha për gazetën "Shqip" se aplikimet kishin përfunduar rreth orës 00:10 të ditës së shtunë, siç e parashikon ligji i shtetit shqiptar. Qytetarët që u paraqitën pas kësaj date nuk kanë mundur të marrin një rrugë ligjore për të votuar ose jo. Në Gjykatën Civile të Tiranës janë paraqitur dy ditët e fundit (të shtunën dhe të dielën) rreth 200 persona, të cilët nuk e kishin emrin në listë. Ata janë interesuar pranë sekretarisë së gjykatës ku kanë marrë përgjigjen: "Afati për kërkesën për leje votimi ka përfunduar". Më pas janë larguar, pa mundur të ushtrojnë një të drejtë kushtetuese. Kancelari i Gjykatës së Tiranës tha se janë regjistruar mbi 415 kërkesa për leje votimi, të cilave u është dhënë një rrugë ligjore. Mbi 70 për qind e këtyre kërkesave janë pranuar, çka do të thotë se qytetarët janë lejuar të votojnë, ndërsa pjesa tjetër nuk ka pasur informacion. Sipas të dhënave, një qytetar duhet të paraqiste një kërkesë 24 orë para fillimit të procesit zgjedhor. Procesi përfundoi në fillim të ditës së shtunë, ndërsa qindra qytetarë u paraqitën në gjykatë për të kërkuar të drejtën e votës. Midis personave që iu drejtuan Gjykatës Civile të Tiranës ishte edhe një familje shqiptare me banim në Angli. Kryefamiljari u paraqit në sekretarinë e gjykatës, ku parashtroi se emri i tij dhe familjes ishte fshirë nga listat e votimit. Por si përgjigje ka marrë se kërkesa e tij nuk ishte brenda afateve ligjore, që parashikohen në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë. I ndodhur në këto kushte, banori është larguar, ndoshta për të mos u kthyer me kurrë, jo për të votuar, por edhe në Shqipëri. Krahas personave që kërkonin leje për të votuar, dje janë zhvilluar edhe miniseanca gjyqësore me personat që kishin kërkuar të votonin brenda normave ligjore. Administrata e Gjykatës Civile të Tiranës ishte në krye të detyrës edhe ditën e djeshme, ku u dha rrugë ligjore personave që kërkonin leje për të votuar.