Viktimat e dhunimit seksual gjatë luftës meritojnë përkujdesje institucionale

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) bëri sot prezantimin e projektit “Fuqizimi i grave viktima të dhunës seksuale dhe torturës gjatë konfliktit në Kosovë”, ku ishin të pranishëm edhe presidentja Atifete Jahjaga, ambasadorët Tracey Ann Jacobson e Ina Cliff, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, përfaqësues të shoqërisë civile etj.
Drejtoresha e QKRMT, Feride Rushiti paraqiti gjendjen aktuale të të mbijetuarave të dhunës seksuale, si dhe adresoi nevojat për mbështetje institucionale të kësaj kategorie. Ajo më pastaj ceku rëndësinë e fuqizimit të të mbijetuarave në kuadër të ballafaqimit me të kaluarën dhe restaurimit të nevojave të viktimave.
Presidentja Jahjaga, ndërkaq, ceku rëndësinë e përkujdesjes që zëri dhe nevojat e grave viktima të dhunës së drejtpërdrejtë në luftën e fundit në Kosovë, të mos mbesin të heshtura. Ajo shtoi se gratë e tilla për fat të keq shpesh janë edhe viktima të rrethit në të cilin jetojnë, për shkak se përballen me përbuzjen dhe përjashtimin nga shoqëria, për lirinë e së cilës ato sakrifikuan shumë. Ajo shtoi se gjatë konferencës ndërkombëtare të grave që u mbajt vjet në Kosovë, ka kërkuar që grave të përdhunuara t’iu njihet statusi ligjor i viktimave të luftës.
Ambasador britanik, Cliff tha se me gjithë përpjekjet e mëdha të komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Britanisë së Madhe beson se duhet dhe se ka ende shumë punë për të bërë në luftimin e dhunës seksuale. “Besojmë që kultura e mosndëshkimit duhet të zëvendësohet me atë të ndëshkimit për autorët e krimeve të tilla”, tha ai.
Ambasadorja amerikane Jacobson, shfaqi kënaqësinë që SHBA-ja dhe Britania poe mbështesin financiarisht këtë projekt dhe shtoi se asnjë shoqëri nuk mund të ecë përpara duke injoruar të kaluarën.
Ministrja Çitaku theksoi se dhunimi është arma përmes së cilës vazhdohet lufta edhe kur pushkët nuk kërcasin më. “Gratë e mbijetuara nga dhuna janë nënat, motrat dhe vajzat tona. Ato janë heroina që neve na dhënë mësim, mësim se nuk duhet hequr dorë. Është shumë e rëndësishme që debati rreth të mbijetuarave është hapur dhe është momenti i fundit që këtë debat ta çojmë përtej fjalëve.
Sebahate Pacolli-Krasniqi, menaxhere e projektit, tha se ky projekt synon të rrisë qasjen e grave që kanë përjetuar dhunën seksuale dhe torturën gjatë luftës në Kosovë në rehabilitim, drejtësi dhe kompensim, si dhe t’ju ndihmoj grave për të tejkaluar përvojën e tyre traumatike dhe për të adresuar të drejtat e tyre për lëvizje nga statusi i viktimës në pjesëmarrëse aktive në shoqëri ./Indeksonline/