U arrestua nga Serbia, Abazi kthehet në Kosovë

Hasan Abazi, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Metalistëve, i cili është arrestuar nga policia serbe, është kthyer në Kosovë.
"Kthimi i tij u ndihmua nga EULEX-i dhe ai u transportua në Kosovë në një automjet të EULEX-it", thuhet në komunikatën e misionit evropian për sundimin e ligjit.
Hasan Abazi, nga Ferizaj, është arrestuar më 28 mars nga autoritetet serbe në Konçul, nën akuzat për spiunazh.
Institucionet evropiane dhe organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut i kanë dërguar nota proteste Qeverisë në Beograd, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Abazit.
Familjarët e tij kanë thënë se kanë paguar kaucionin prej 20,000 eurosh në gjykatën e Vranjës.