U arrestua për trafikun e 40 kg heroinë, lirohet nga Gjykata e LartëNga TemaGjykata e Lartë ka liruar në mënyrë të papritur njërin prej të akuzuarve për trafikun e 40 kilogramëve heroinë të sekuestruar pak kohë më parë në Kakavijë. Kjo gjykatë ka ven
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
U arrestua për trafikun e 40 kg heroinë, lirohet nga Gjykata e LartëNga TemaGjykata e Lartë ka liruar në mënyrë të papritur njërin prej të akuzuarve për trafikun e 40 kilogramëve heroinë të sekuestruar pak kohë më parë në Kakavijë. Kjo gjykatë ka vendosur dje që të lirojë Zaim Tafën, pa argumentuar arsyet për këtë vendim. Prokurorët e kësaj dosjeje kanë mbetur të shtangur nga vendimi, pasi, sipas tyre, ekzistojnë të gjitha provat për përfshirjen e Tafës në trafikun e heroinës. I liruari u arrestua majin e këtij viti, së bashku me çiftin gjerman Franc e Rexhina Kiacsek dhe shtetasin tjetër gjerman, Daniel Englert.
Edhe pse arrestimi i Zaim Tafës dy muaj më parë, së bashku me tre shtetas gjermanë dhe një shtetas shqiptar, të cilëve iu sekuestrua sasia prej 40 kilogramësh heroinë, bëri bujë, Gjykata e Lartë çuditërisht ka vendosur që ta lirojë atë nga burgu. Vendimi është dhënë gjatë ditës së djeshme, ndërsa ka shkaktuar irritim tek organi i akuzës, që e cilëson Tafën si organizatorin kryesor të trafikut. Gjatë vendimit të saj, Gjykata e Lartë nuk ka argumentuar lirimin e Tafës, pronar i një lokali në Fieri, çka bën që të ngrihen dyshime për marrjen e këtij vendimi. Nga ana e saj, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka kundërshtuar ashpër këtë vendim. Sipas kësaj të fundit, janë dashur muaj të tërë hetimesh për arrestimin e tij, gjë që është hedhur poshtë nga ana e gjykatës ditën e djeshme për pak minuta. Kjo, në kohën kur organi i akuzës thotë se disponon të gjitha provat dhe materialet, të cilat faktojnë përfshirjen e Zaim Tafës në trafikun e heroinës. Kanë qenë vetë shtetasit gjermanë të arrestuar me 40 kilogramë heroinë, Franc e Rexhina Kiacsek, të cilët gjatë prangosjes pohuan se drogën e kishin blerë pikërisht te Zaim Tafa, i cili është pronar i një lokali në aksin rrugor nacional Fier-Ballsh, vetëm 2 km sapo kalon kthesën e Patosit. Por, pavarësisht disponimit të këtyre provave, Gjykatës së Lartë nuk i kanë mjaftuar dhe tashmë që nga dita e djeshme Zaim Tafa është një qytetar i lirë. Edhe pse në fakt akuzohej si organizatori i trafikimit të sasisë më të madhe të heroinës të sekuestruar ndonjëherë në vendin tonë, plot 40 kilogramë, vlera e së cilës shkon te 2 milionë euro.
Zaim Tafa u arrestua dy muaj e gjysmë më parë, pas një superaksioni të kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me sektorin e operacioneve speciale në Policinë e Shtetit. Bashkë me të u arrestuan në pikën kufitare të Kakavijës edhe çifti gjerman, Franc e Rexhina Kiacsek. Pikërisht këtyre të fundit iu sekuestrua sasia prej 40 kilogramësh heroinë, e cila kishte si destinacion përfundimtar Italinë. Në pranga përfundoi edhe shtetasi tjetër gjerman, Daniel Englert, i cili u arrestua në dalje të aeroportit të Rinasit, si dhe miku i Tafës, Albert Pëllumbaj. Gjatë arrestimit, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se kishte muaj të tërë që hetonte për këtë trafik. Ekspertët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kishin vënë re se gjermani Daniel Englert komunikonte shpesh me një numër shqiptar. Të ndodhur përpara këtij fakti, prokurorët vunë nën përgjim këtë numër, i cili i përkiste Albert Pëllumbajt. Gjatë një telefonate që Englert i drejtonte Pëllumbajt më 30 prill, gjermani u shpreh: “Shoferët janë duke ardhur”. Pas marrjes së informacionit se Englert mbërriti në Shqipëri, në datën 1 maj, u vu menjëherë në përgjim dhe numri i tij i telefonit. Ndërkohë, gjatë dëshmisë së tyre, Tafa dhe Pëllumbaj deklaruan se nuk kishin dijeni për drogën. Ata janë shprehur se disa vite më parë kanë qenë në Gjermani, ku janë njohur me tre gjermanët e arrestuar. Pak kohë më parë, po sipas dëshmisë së tyre, ata i kishin telefonuar dhe shprehur dëshirën të kalonin pak ditë në Shqipëri. Pasi kanë ardhur nga Maqedonia, ata kanë mbërritur në qytetin e Fierit dhe janë takuar me dy miqtë e tyre, që janë bashkëpronarë të lokalit “Kështjella”, që ndodhet në hyrje të Patosit. “Ndërsa për drogën që iu është kapur gjermanëve, nuk dimë asgjë”, - deklaruan dy ortakët në biznes.