Hepatiti A, nga kushtet e rënda në kopshte e shkolla
ELBASAN - Vatrat e hepatitit A që çuan në shtrimin e 18 fëmijëve në spitalin pediatrik të Elbasanit janë shkaktuar si pasojë e kushteve tejet të këqija higjienike nëpër ambientet arsimore. Vatra më e madhe është konstatuar në Cërrik, prej nga janë 15 fëmijë, ndërsa 3 të tjerë nga lagjja "5 Maji" të qytetit të Elbasanit. Prindërit e fëmijëve të shtruar në spital kërkojnë menjëherë dezinfektimin e kopshtit në Cërrik, pasi sipas tyre në këtë kopsht është marrë edhe infektimi. Të njëjtën gjë deklarojnë edhe prindërit e tre fëmijëve nga Elbasani, sipas të cilëve shkolla e fëmijëve "Sulë Domi" është problematike. Vetë shefi i pediatrisë, Edmond Laho, pohon se hepatiti A është viral dhe tejçohet në rrugë fekale-orale, me një inkubacion nga 15-50 ditë dhe gjatë kësaj periudhe mund të transmetohet lehtësisht tek të tjerët. Nga ana e tij, drejtori i Shëndetit Publik në Elbasan, Fadil Brazhda deklaron se sapo janë njoftuar për hepatitin A, dhe për shtrimin e fëmijëve nga mosha 3-14 vjeç në spital, u morën të gjitha masat duke dërguar specialistë të posaçëm për këtë problem, në kopshtin e Cërrikut si dhe në shkollën "Sulë Domi". "Janë analizuar rastet dhe kemi vënë re se këto raste kanë kontakte epidemiologjike me njëri-tjetrin sidomos në Bashkinë Cërrik. Për këtë arsye është vendosur të vazhdojë vëzhgimi nga personeli shëndetësor, të bëhet dezinfektimi çdo ditë në kopshte dhe shkolla e të kryhen analizat e ujit të pijshëm", pohon ai. a.k