E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhurmat në plazh, pranga Sali Lushës

 

ETLEVA DELIA

Vetëm disa orë pas publikimit të masave të Policisë së Shtetit, për të siguruar qetësinë akustike në zonat e plazhit, kanë ardhur edhe arrestimet e para. Në prangat e Policisë së Tiranës kanë përfunduar tetë persona, mes të cilëve edhe pronari i një lokali me muzikë tek Shkëmbi i Kavajës, Sali Lusha, dy nipat e tij dhe 5 persona të tjerë, të njohur të tyre. Burime nga grupi hetimor thanë për gazetën "Panorama" se arrestimi i tyre ka ardhur pasi nuk kanë zbatuar urdhrin e policisë për zbatimin e orarit kur muzika në disko duhej të ishte me zë më të ulët. Gjithashtu, gjatë debateve që ka pasur mes forcave të rendit dhe pronarit të diskos, Lusha, ky i fundit, në bashkëpunim edhe me 7 personat e tjerë, i kanë kundërshtuar, madje edhe i kanë goditur duke mos iu bindur. Mes tyre ka pasur një përplasje, gjë që ka kërkuar edhe prezencën e Forcave Speciale RENEA. Mësohet se oficerët e RENEAS nuk kanë ndërhyrë në arrestimin e 8 personave, të cilët janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, nga një grup special që ishte nisur nga kryeqyteti enkas për ngjarjen. Mësohet se Lusha, ish-badigardi i kryeministrit aktual Sali Berisha, para vitit 1997, dhe 7 miqtë e tij, janë marrë në pyetje për disa orë dhe më pas është vendosur masa e arrestit për tre akuza, "prishje të rendit dhe qetësisë publike", "kundërshtim të forcave të rendit" dhe "mosbindje ndaj policisë". Mësohet se dosja e përgatitur nga policia tashmë është dërguar në prokurori dhe tashmë pritet nëse organi i akuzës do i heqë masat ndaj tyre apo do të dërgohen në gjykatë për vlerësim mase sigurie. Rreth orës 24:30, policia e Kavajës është njoftuar nga pushuesit se në diskon pranë Shkëmbit të Kavajës, vazhdonte muzikë e fortë edhe pse orari kishte kaluar. Një grup policësh është nisur në drejtim të vendit nga kishin ardhur ankesat dhe në të njëjtën kohë janë njoftuar edhe oficerët e Policisë së Tiranës. Burime nga policia thanë se bëhet fjalë për lokalin me muzikë, që është në pronësi të Sali Lushës. Sipas policisë edhe pse i kanë bërë thirrje disa herë që lokali të vazhdojë që të qëndrojë i hapur, por të ulet volumi i muzikës, pasi bezdis pushuesit, Lusha nuk është bindur. Madje në mbështetje të tij janë vënë edhe 7 persona të tjerë, Visar Kashari, i cili është nipi i Sali Lushës, Shkëlzen Susa, Mariglen Blliku, Renaldo Gecaj, Rusin Grazhani, Avdyl Gjomakaj dhe Egdar Muça. Përveç kundërshtimit me fjalë, mësohet se ka pasur edhe një konfrontim fizik mes forcave të rendit dhe 8 personave të lartpërmendur, aq sa janë lajmëruar edhe forcat RENEA. Rreth orës 02:30 policia ka shoqëruar në polici 8 protagonistët e ngjarjes, të cilëve dje u është komunikuar arresti për tre akuza. Mësohet se gjatë marrjes në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Sali Lusha, ka mohuar të ketë kundërshtuar policinë, madje ka pretenduar se pas orarit të përcaktuar nga policia, muzika në lokalin e tij nuk ishte me volum të lartë. Të njëjtën gjë kanë deklaruar edhe 7 personat e tjerë të arrestuar. Me gjithë kundërshtimin e akuzave që ata kanë bërë para oficerëve të policisë, është vendosur që ata të qëndrojnë në qeli, deri në vlerësimin e arrestit nga prokuroria, institucion i cili tashmë ka marrë në dorë materialet në ngarkim të tyre. Tashmë tetë personat e arrestuar do të qëndrojnë në qelitë e izolimit për prishje të qetësisë publike, kundërshtim dhe mosbindje ndaj forcave të rendit. Mësohet se mes policisë dhe të arrestuarve ka pasur edhe një përplasje fizike, por që nuk ka qenë e përfillshme, të paktën jo aq sa mbi të arrestuarit të ngrihej edhe një akuzë tjetër penale, që do ta rëndonte më shumë pozitën e tyre.

TE SHOQERUAR

1. Sali Lusha
2. Visar Kashari
3. Shkëlzen Susa
4. Mariglen Blliku
5. Renaldo Gecaj
6. Rusin Grazhani
7. Avdyl Gjomakaj
8. Egdar Muça

Lokalet nuk mbyllen nëse eliminohen zhurmat

Pa kaluar 24 orë nga urdhri i policisë për mbylljen e lokaleve me muzikë pas orareve të përcaktuara, policia ka hequr disa kufizime. Edhe në këtë rast ka ndodhur që urdhri i dytë ka rrëzuar të parin. Policia e Shtetit nëpërmjet një deklarate për shtyp, ka shpjeguar se lokalet e natës në zonat turistike nuk do të mbyllen në oraret që vetë i publikoi dy ditë më parë, nëse pronarët do arrijnë të eliminojnë zhurmat që shqetësojnë turistët. Në vendimin e dytë, policia shpjegon se jeta e natës në zonat bregdetare nuk do të ndërpritet. Gjithashtu policia dje ka sqaruar vendimin e parë ku urdhëronte që pas orës 24:00 të gjitha lokalet dhe restorantet do të pushonin së funksionuari në kuadër të ndalimit të ndotjes akustike. Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit nuk bëhet fjalë për bllokim të aktivitetit pas orës 24:00, gjatë javës dhe pas orës 02:00 në fundjave, për ato ambiente ku luhet muzikë e lartë, por që të gjithë lokalet, pub-et dhe restorantet që ushtrojnë një aktivitet të tillë do të jenë të detyruara të ulin volumin, deri në atë masë sa të mos përbëjnë shqetësim për pushuesit në zonat turistike. Në këtë kuadër, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit sqaron mediat dhe opinionin publik në lidhje me njoftim e bërë ditën e mërkurë për ndotjen akustike në zonat turistike se: Nuk do të mbyllë asnjë disko, klub nate, bar, restorant, etj., që vazhdojnë të punojnë pas orës 24:00 nga dita e hënë deri ditën e enjte dhe pas orës 02:00 për ditët e premte, të shtunë e të diel në rastet se do të eliminojnë ndotjen akustik pas kësaj ore. Nisma sipas policisë bëhet në kuadër të ankesave të shumta të qytetarëve dhe shqetësimet e vazhdueshme të turistëve vendas dhe të huaj, që pushojnë në plazhet e vendit tonë, për ndotjen akustike nga diskot, klubet e natës, baret, restorantet etj. Dy ditë më parë Policia e Shtetit bëri të gjitha thirrje që të gjitha drejtoritë e Policisë në Qarqe dhe Komisariatet e Policisë, që në territoret që mbulojnë ka zona turistike, të marrin masa që nga dita e hënë deri ditën e enjte pas orës 24:00 dhe për ditët e premte, të shtunë e të dielën pas orës 02:00, të ndërpresin aktivitetet që krijojnë ndotje akustike në zonat turistike. Vendimi për të ruajtur qetësinë në zonat bregdetare duket se do të jetë i vështirë për forcat e rendit, kjo pasi klubet e natës në zonat bregdetare shpenzojnë shumë në sezon vere për muzikën "live" për të kënaqur klientët. Madje, veç ankesave të turistëve për zhurma akustike, shtohen edhe ankesat e klientëve për mbylljen e muzikës.                            et.de.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›