Përkrahësit e Blushit në bazën e PS, fushatë me delegatët e Kongresit për të sqaruar platformën
adi shkembi
Hartimi i një platforme që do t’i paraqitet kongresit të jashtëzakonshëm më 29 gusht dhe dalja në bazë për të sqaruar delegatët e Kongresit ka mbledhur sërish bashkë grupin e deputetëve që kërkojnë largimin e Kryetarit të PS-së, Edi Rama. Për më shumë se dy orë deputetët Ben Blushi e Kastriot Islami, si dhe përfaqësues të tjerë të PS-së, janë takuar në zyrën e nënkryetarit të Kuvendit, Ylli Bufi, për të diskutuar për përgatitjet në prag të kongresit.
Takimi
Ndërkohë që kryetari i PS-së, Edi Rama vijon vizitën e tij në SHBA për të paraqitur manipulimet që sipas selisë rozë kanë ndikuar në humbjen e kësaj force më 28 qershor, grupi i mbështetësve të Blushit vijon të takohet rregullisht për të diskutuar detajet në prag të kongresit. Zyra e nënkryetarit të Kuvendit, Ylli Bufi, ka shërbyer sërish për të mbledhur deputetët që mbështesin Ben Blushin në garën për Kryetarin e Partisë Socialiste. Burime pranë këtij takimi bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se dy kanë qenë çështjet kryesore. Grupi që kundërshton rikandidimin e Ramës në krye të PS-së, ra dakord që të mbështesë hartimin e një platforme, e cila do të paraqitet nga deputeti Ben Blushi dhe që do të ketë në qendër të tij tre pika kryesore. Pika e parë është pikërisht demokratizimi i PS-së, për t’i dhënë më shumë fuqi forumeve përmes ndryshimeve statutore. Kjo do të argumentohet me faktin për t’i dhënë më shumë fuqi vendimmarrjes brenda PS-së. Pika e dytë e platformës do të jetë cilësia e PS-së në opozitë, mënyra se si do të bëjë oponencën në Kuvend selia rozë dhe cilat do të jenë raportet e saj me qeverinë. Ndërsa pika e tretë e platformës së grupit është pikërisht korrektimi i doktrinës së PS-së, për të rikthyer sipas tyre, solidaritetin socialist. Por veç kësaj pike, deputetët dhe zyrtarët socialistë të mbledhur në zyrën e nënkryetarit, Ylli Bufi, kanë rënë dakord që të dalin në bazë për t’u shpjeguar delegatëve të kongresit të jashtëzakonshëm platformën e tyre. Anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS-së që kundërshtojnë kreun e partie u takuan në zyrën e Ylli Bufit, një ditë para mbledhjes së këtij forumi, ku artikuluan tezën e PS-ja nuk duhet të bojkotojë institucionet. Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Marko Bello, Ylli Bufi, Andis Harasani, Pilo Kerri, Eva Allushi, Edlira Haxhiymeri, Maqo Lakrori, Luan Hajdaraga, Elmaz Sherifi, Flamur Hoxha, Rrapush Tola, Rajmonda Stefa etj., kanë hedhur të parët firmat në këtë kërkesë, që do t’i paraqitej Asamblesë Kombëtare të socialistëve. Ata u shprehën hapur se vendi i PS-së është në Parlament, aty ku duhet bërë oponenca e qeverisë. Sipas tyre, përndryshe, PS-ja del nga profili i saj evropian dhe kthehet në një imituese të PD-së të kohëve të shkuara. Kishte ditë që anëtarë të kryesisë socialiste dhe të grupit parlamentar socialist, përmes komunikimeve në media, kishin shprehur kundërshtitë e tyre për qëndrimin e drejtuesve të PS-së ndaj rezultatit të zgjedhjeve dhe kërkuan që ajo të lexojë dhe njohë me kurajo atë.
Blushi: Platforma me tre pika
Kandidati i përfolur për kryetar të Partisë Socialiste, Ben Blushi bëri publike pak ditë më parë pikat e platformës që do t’i paraqesë kongresit. Sipas tij, këto tre pika janë demokratizimi i Partisë Socialiste, duke i dhënë më shumë fuqi forumeve me ndryshime statutore; cilësia e PS në opozitë duke përfshirë edhe raportet me qeverinë, si dhe korrektim i doktrinës së PS-së.
Malaj, kandidati i parë për kreun e PS
Anëtari i kryesisë, Arben Malaj, është kandidati i parë i shpallur për postin e kryetarit të kësaj partie. Gjatë një interviste pak ditë më parë për “Zërin e Amerikës”, ai tha se “Me një grup kolegësh ekspertë të politikës dhe ekonomisë, unë po punoj për ta paraqitur platformën time në kongresin e 29 gushtit. Sigurisht që modernizimi i forcës politike është shtylla kryesore”, tha Malaj.