U kapën duke shkëmbyer drogë në det të hapur, GJKKO lë në burg 6 të arrestuar

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka lënë me masën sigurie “arrest në burg” 6 personat e arrestuar një ditë më parë (16 gusht), të cilët u kapën duke trafikuar drogë në det të hapur.
Në burg janë lënë ish-shefi i Policisë së Fushë-Krujës, Arlind Ismailukaj, Armando Mema, Nerim Çela, Besnik Brokeri dhe dy shtetas ukrainas, Kyrylo Ponomarenko dhe Kostiantyn Biellon.
Operacioni ndërkombëtar antidrogë u zhvillua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me SPAK, Guardia di Finanza italiane dhe Frontex.
Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit bëri me dije se personat e arrestuar trafikonin drogë nëpërmjet rrugëve detare.
Gjashtë personat u kapën teksa tentuan të shkëmbenin kanabis me lëndë të tjera narkotike, me trafikantë të huaj, nëpërmjet një veliere në detin Adriatik.
/rtsh.al/