U kënaqëm pushime, pesë ditë festa të fillimmajit

Vetëm në 10 ditët e para të muajit maj punëtorëve të institucioneve shtetërore në Kosovë u ka dhuruar pesë ditë feste dhe pushime. Festa e 1 majit, Pashkët ortodokse, më 5 maj, të dielën e shkuar, por për të cilën u pushua më 6 maj, dhe tashti Dita e Evropës, më 9 maj, ishin tri nga festat që dalin nga Ligji për festat zyrtare, që qëlluan në fillim të muajit maj, raporton KTV-ja.
Dita e Evropës, që vetëm institucionet e BE-së e kanë pushim, por jo edhe 27 shtetet e saj, edhe këtë vit ka mbetur në Ligjin për festat zyrtare. Megjithëse ishte kërkuar edhe nga ministra e zyrtarë të tjerë që kjo ditë të hiqet nga ligji, vetëm tashti kanë nisur procedurat për ndryshimin e ligjit.
Në një përgjigje me shkrim të Zyrës së shtypit të Ministrisë së Administratës Publike thuhet se me plotësimet dhe ndryshimet e ligjit, 9 Maji parashihet të hiqet nga kalendari i festave dhe se shumë shpejt propozimi do të mbërrijë në qeveri. Ligji për festat zyrtare për shtetin laik të Kosovës ka gjithsej 11 festa zyrtare, 6 nga të cilat janë festa religjioze./Indeksonline/