E Shtunë, 31 Tetor 2026

U kërkua si "i arratisur", rikthehet i burgosuri

I ishte dhënë leje nga burgu, por ai nuk është kthyer në kohë, duke vënë kështu në lëvizje gjithë policinë për kapjen e tij. Bëhet fjalë për një të dënuar me 5 vjet burg për mbajtje pa leje të armëve luftarake, i cili është kthyer ditën e djeshme, duke justifikuar edhe vonesën. Fillimisht është deklaruar se Beldar Lika është arratisur duke shfrytëzuar lejen e dhënë nga burgu. Por më vonë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shpjeguar se ai është kthyer në qeli. Sipas informacioneve zyrtare, i dënuari Bledar Haxhi Lika, 33 vjeç, lindur dhe banues në Berat, është dënuar me 5 vjet burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale "Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake". Nga dënimi i kanë mbetur edhe 1 vit e 7 muaj burg. Më datë 05 maj 2009, nga Drejtoria e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimit Penal Rrogozhinë, bazuar në ligjin 8328 "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe paraburgosurve", Likës i është dhënë leje. Kjo është ofruar pas kërkesës së tij për arsye të sëmundjes së babait të tij. Pas verifikimeve të bëra për vërtetësinë e sëmundjes dhe vlerësimit pozitiv të marrë nga punonjësit socialë dhe juridikë, u vendos dhënia e lejes për të dënuarin Bledar Lika. Leja shpërblyese iu dha nga data 05 maj deri në orën 17:00 të datës 10 maj. Pas mbarimit të afatit të lejes së dhënë dhe mosparaqitjen e të dënuarit në institucion, u njoftuan Autoritetet Përkatëse Policore, Pikat Kufitare, si dhe Prokuroria e Rrethit. Por, më vonë ai është kthyer. Bazuar në deklaratën personale dhe informacionet e marra nga institucioni, i dënuari Lika kishte tejkaluar orarin e kthimit në institucion, pasi kishte shkuar për vizitë te një i afërm në Durrës. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kavajë ka nisur procedimin penal ndaj të dënuarit, për thyerje të rregullores së vendit të vuajtjes së dënimit dhe nenin 323 të Kodit Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›