E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

U konfirmua nga KPK, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Vlorë, Laurent Fuçia

Komisioneri Publik, përkundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kërkon shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Vlorë, Laurent Fuçia, i cili ka qenë subjekt i rivlerësimit.

Komisioneri Publik bën të ditur se ka dorëzuar brenda afatit ligjor, ankimim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, Laurent Fuçia, me funksion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Vlorë.

Gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Vlorë Laurent Fuçia u konfirmua rreth 2 muaj më parë në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas rivlerësimit në të tri kriteret. Megjithatë Komisioni vendosi ta trasferojë atë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Gjatë hetimit administrativ, të kryer nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Alma Faskajn, Fuçisë nuk iu gjetën probleme në kriterin e pasurisë dhe figurës, por u pyet për disa prej dosjeve që kishte gjykuar dhe për të cilat kishte ankesa.

Por Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin dhe në zbatim edhe të Rekomandimit të ONM-së, çmon se ky vendim është i cënueshëm në tërësinë e tij dhe “përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur për shqyrtim, nëpërmjet ankimit, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit”.

“Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të një hetimi të plotë të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Laurent Fuçia.”- thuhet në njoftim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›