E Shtunë, 31 Tetor 2026

President-opozitë, marrëdhëniet e ngrira

Gjashtë muaj pas zgjedhjeve të 28 qershorit, marrëdhëniet midis Partisë Socialiste dhe kreut të shtetit, Bamir Topi, duket se kanë filluar të kalojnë në periudhë "ngricash". Procesi elektoral dhe qëndrimet e partisë më të madhe të opozitës kanë hasur në mungesën e reagimit nga ana e Presidentit Topi. Kronologjia e komunikimit midis opozitës dhe Presidentit që prej shtatorit të këtij viti tregon për një ngërç të krijuar mes dy palëve. Në një letër të publikuar më 2 shtator, kreu i socialistëve, Edi Rama, i vinte në dispozicion Bamir Topit një dosje me shkeljet ligjore që u bënë për zgjedhje, kryesisht ato që kanë të bëjnë me lirimin e të burgosurve për fushatë. Rama i kërkonte Presidentit, që në cilësinë e kryetarit të KLD-së, të vërë në vend drejtësinë. Pak ditë më vonë, më 6 shtator, kreu i shtetit iu drejtua Kuvendit të ri (që mblidhej pa opozitën) me një fjalim, ku nënvizoi se "Kuvendi i Shqipërisë ka nevojë për kontributin e menjëhershëm të të gjithë të zgjedhurve politikë. Kauza euroatlantike dhe e ardhmja e vendit mund të kërkojnë që, për interesa shumë të rëndësishme kombëtare, ju të ngriheni mbi interesat e partive që përfaqësoni, por të keni ndërgjegjen e qetë se nuk keni tradhtuar interesat e qytetarëve që ju kanë besuar të ardhmen e tyre duke kontribuar kështu edhe për rikthimin e besimit të humbur te politika e politikanët". Më 7 tetor, kreu i socialistëve deklaroi se Presidenti Topi ende nuk i ka dhënë përgjigje dhe nuk ka reaguar ndaj një letre drejtuar në adresë të tij, ku janë ngritur shqetësimet për kthimin e burgjeve në seksione të fushatës elektorale të PD-së dhe lirimin e një sërë njerëzish të rrezikshmërisë së lartë në këtë kohë. "Këtë presim nga Presidenti dhe shpresojmë në një përgjigje", u shpreh kryetari i PS-së, Edi Rama. Pavarësisht kësaj, Presidenti Topi nuk i ktheu përgjigje zyrtare letrës, por më 17 tetor deklaroi se "vërtet ka probleme të debatit politik me pozitën. Unë nuk mendoj që këto probleme zgjidhen me institucione të tjera, por zgjidhen vetëm me vullnet politik të partive që janë në proces". Më 3 nëntor reagimi i Ramës vjen duke u acaruar teksa në reagim ndaj dhunimit të gazetarit Mero Baze thotë se "vetë Presidenti i Republikës, duhet të dalë nga heshtja e tij olimpike dhe të flasë me fuqinë që i jep Kushtetuta e morali i kreut të shtetit, për të mbrojtur liri e të drejta që po kërcënohen përditë e më shumë në kushtet e një sistemi drejtësie të paralizuar nga presioni e korrupsioni". Sipas tij, Presidenti i Republikës nuk mund të pajtohet në heshtje me rrënimin e përditshëm të shtetit të së drejtës, me dhunimin e përditshëm që pushteti i një familjeje po i bën Kushtetutës, ligjit, shtetit, me gjakosjen e një gazetari që në një hapësirë përditë e më të ngushtë lirie për mediat në Shqipëri, denoncon zullumet e pushtetit të një halldupi. Më 13 nëntor, Bamir Topi deklaroi se "ajo që unë shikoj si President i Republikës është që përgjithësisht ne kemi institucione të stabilizuara. E rëndësishme është që partitë politike të marrin pjesë në këtë lloj dialogu dhe pastaj, sikurse e kanë gjetur gjuhën edhe në raste të tjera mund ta gjejnë gjuhën edhe tani për të zgjidhur pikërisht ato probleme që ata mendojnë se ekzistojnë midis tyre". Më 26 nëntor, Presidenti i mbylli rrugën opozitës teksa deklaroi se etiketimi më i mirë për zgjedhjet është ai që jepet nga KQZ-ja, nga Gjykatat e Apelit dhe nga monitorët. Më 27 nëntor, deputetët e PS-së theksuan se "kërkojmë nga Presidenti dhe të gjitha institucionet kushtetuese të vendit, që të garantojnë për shqiptarët e të gjitha përkatësive politike transparencën e plotë të procesit zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›