E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE përgënjeshtron Berishën

Komisioni Europian hedh poshtë deklaratat e Kryeministrit Sali Berisha se funksionarë të Partisë Socialiste kanë kërkuar mosheqjen e regjimit të vizave me vendet europiane për shqiptarët. Në një deklaratë për shtyp të publikuar dje në faqen zyrtare të internetit të zyrës së delegacionit europian në Tiranë, thuhet se "media ka raportuar ditët e fundit rreth një darke të mbajtur më 24 nëntor për nder të Pierre Mirel, drejtor për Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë dhe Çështjet e Kosovës në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian". Për të shmangur çdo paqartësi, vijon deklarata, Komisioni Europian deklaron se më 24 nëntor në rezidencën e shefit të delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë u mbajt një darkë për t‘i krijuar zotit Mirel mundësinë të takohet me politikanë nga Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe parti të tjera. "Zoti Ditmir Bushati nuk ka marrë pjesë në këtë darkë. Asnjë nga pjesëmarrësit nuk ka thënë asgjë që mund të interpretohet se mund të jetë kundër interesit të Shqipërisë për të arritur sa më parë heqjen e vizave me Bashkimin Europian apo që mund të jetë në kundërshtim me qëllimin e saj për integrim europian", përfundon deklarata për shtyp e Komisionit Europian në Tiranë. Deklarata për të cilën është lëshuar sqarimi nga Komisioni Europian u bë më datën 3 dhjetor në emisionin "Opinion" nga Kryeministri Sali Berisha. "Zoti Rama po lobon në mënyrën më të fuqishme kundër vizave. Më datën 24 nëntor, Ditëzi Bushati dhe Beqja i thonë Pierre Mirel: Mjerë ju po hoqët vizat për Shqipërinë. Do të përballeni me eksode më të papërmbajtshme, me krimin më të rrezikshëm. A ka shqiptar që mund ta bëjë një gjë të tillë? Pra këta janë emrat, të dalin e të thonë jo. Absolutisht ka qenë një tryezë të paktën me 10 veta. Raportet e dërguara në Bruksel nga zoti Rama kundër vizave, nuk ka cinizëm më të madh", nënvizoi Berisha në emision. Dy ditë para kësaj deklarate të Kryeministrit Sali Berisha, një tjetër funksionar i rëndësishëm i Partisë Demokratike, Ilir Rusmali, theksoi se "eksponentët e Partisë Socialiste po thurin skenarë të kobshëm, në rast se do të liberalizohen vizat për shqiptarët dhe këto ia dorëzojnë përfaqësuesve të BE-së. Këto sinjale që u japin në rast se vizat liberalizohen për shqiptaret, janë një turp i paparë dhe një marrëzi e madhe", deklaroi Ilir Rusmali. Çështja e liberalizimit të vizave është përdorur edhe gjatë fushatës elektorale për 28 qershorin 2009. Mazhoranca kishte si flamur suksesi ecurinë e bisedimeve me Bashkimin Europian për çështjen e liberalizimit. Në këtë linjë, funksionarët demokratë ende vazhdojnë të akuzojnë opozitën se me qëndrimin e saj, po pengon dukshëm integrimin e Shqipërisë dhe heqjen e vizave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›