E Shtunë, 31 Tetor 2026

U lirua për mungesë provash, Italia kap vrasësin shqiptar

Një shqiptar i dënuar me 23 vjet burg për vrasje është arrestuar në Itali për llogari të shtetit tonë. Besim Doku, i cili ka qenë i arrestuar edhe më parë nga policia shqiptare, por që është liruar për mungesë provash, është kapur në Torino, ku fshihej që prej vitit 2001. Ai akuzohet se në bashkëpunim me një kushëri të tij, kanë vrarë një person dhe kanë plagosur vëllain e tij pas një konflikti që kanë pasur për çështje nderi. Policia e Shtetit deklaroi se dje është njoftuar nga Interpol-Roma se Besim Doku, 49 vjeç, lindur e banues në Laknas të Tiranës, është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë që më datën katër të këtij muaji. Gjykata e Tiranës e ka dënuar këtë person me 23 vjet burg, për vrasje me paramendim në bashkëpunim dhe plagosje. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 19 majit të vitit 1997, ku ka mbetur i vrarë Ilmi Cuka dhe është plagosur Dalip Cuka. Për këtë ngjarje, Besim Doku dhe kushëriri i tij, Artur Doku, kanë qenë të arrestuar edhe më parë. Por, në vitin 2001, i arrestuari në Itali është liruar për mungesë provash nga Gjykata e Tiranës. Për këtë çështje, ka pasur edhe një verifikim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ku pretendohej se gjykata e kishte liruar pa të drejtë Besim Dokun. Madje, në vitin 2003, KLD-ja mori vendim për shkarkimin e një gjyqtari, pasi një ndër shkeljet që pretendohej se ishte kryer prej tij, kishte të bënte me çështjen për Besim Dokun, duke trajtuar si shkelje ligjore mosmarrjen pjesë të prokurorit.

Ndërsa sipas dosjes penale, Artur dhe Besim Doku janë kushërinj midis tyre dhe banonin së bashku me familjen Cuka në lagjen Bregu i Lumit në Tiranë. Izmir Doku, i cili ka vdekur para disa vitesh, ka qenë baxhanak me të dëmtuarin Dalip Cuka. Më vonë e fejuara e Izmir Dokut prishi fejesën dhe martohet me Bardhyl Cenën nga Kukësi. Gjithashtu, familja Cuka, në afërsi të banesës ka një lokal. Në vitin 1996, me qëllimin që makinat të mos kalonin me shpejtësi në rrugën para lokalit, hapën një kanal. Prishja e fejesës dhe hapja e kanalit, i cili pengonte qarkullimin normal të automjeteve sollën një zënkë midis viktimës Izmir Doku dhe të dëmtuarit Mexhit Cuka, e cila më pas u bë shkas për ndodhjen e ngjarjeve shumë të rënda. Rezulton e provuar se më 19 maj 1997, rreth orës 21.00, Dalip Cuka së bashku me viktimën Ilmi Cuka dhe Bardhyl Cenën po ktheheshin nga fshati Laknas për te Bregu i Lumit. Dalip Cuka ka qenë në sediljen e parë të autoveturës me targë të Shkodrës në krah të shoferit Bardhyl Cena, ndërsa Ilmi Cuka ka qenë në sediljen e pasme. Sapo kanë mbërritur në lagjen Bregu i Lumit, në afërsi të klubit të shtetasit Sami Delia, në një distancë rreth 10 metra larg shtëpisë së tyre u dalin përpara të pandehurit Artur Doku, Besim Doku dhe Izmir Doku, të cilët mbanin në duar armë automatike. Artur Doku dhe Besim Doku kanë qëlluar me armët automatike në drejtim të autoveturës. Për pasojë plagoset dhe më pas vdes në spital Ilmi Cuka, ndërkohë që mbetet i plagosur edhe Dalip Cuka.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›