Zjarri në kopsht rrezikon 140 fëmijë
PATOS/ MAJLINDA RAMANjë zjarr i rënë papritur në një nga kopshtet e qytetit të Patosit, për pak sa nuk është kthyer në tragjedi. Më shumë se 140 fëmijë ndodheshin në gjumë në orarin e drekës, kur është dëgjuar në fillim një shpërthim e më pas flakët janë shpërndarë gjithandej. Ngjarja, sipas policisë, ndodhi rreth orës 14:00 në kopshtin nr 1 të këtij qyteti. Ulërima fëmijësh e të punonjëseve janë dëgjuar deri në momentin kur është bërë evakuimi i plotë i tyre nga edukatoret dhe roja i kopshtit. "Ishte ora 14:00 kur një shpërthim në rrjetin elektrik rrezikoi fëmijët. Limitatori ndodhej vetëm pak metra larg hyrjes, në katin e parë të kopshtit", bënë të ditur burime nga policia të cilët po hetojnë ngjarjen. Sipas dëshmive nga edukatoret, në drekë, kur fëmijët po flinin, ato kanë ndjerë një erë djegieje. Më pas është dëgjuar një shpërthim dhe flakët shpërthyen përnjëherë. Kur kanë parë flakët, edukatoret kanë nxituar të zgjojnë 70 vogëlushët që ndodheshin në katin e parë. I njëjti numër fëmijësh ndodhej në gjumë në katin e dytë, për shpëtimin e të cilëve është vënë në lëvizje edhe roja i kopshtit. "Edukatoret u treguan të shpejta, por edhe të guximshme. Ato ishin nën një presion të madh psikologjik për shkak edhe të tmerrit që po përjetonin fëmijët. Tani gjithçka përfundoi, për fat të mirë nuk pati asnjë të dëmtuar, as fëmijë dhe as nga stafi", u shpreh Bukurie Ago, njëra prej edukatoreve. Mësohet se më të rrezikuarit kanë qenë 70 fëmijët që ishin në katin e parë. Sipas shefes së burimeve njerëzore në bashki, Antoneta Lama, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes, "zjarri ka rënë krejt papritur dhe vetëm në pak minuta është bërë e mundur të evakuohen të gjithë vogëlushët". Në vend mbërritën edhe zjarrfikëset si dhe policia, por flakët ndërkohë e kishin bërë punën e tyre, duke djegur totalisht katin e parë. Policia bëri të mundur largimin nga vendi i ngjarjes i të gjithë fëmijëve duke i çuar ata nëpër banesat e tyre. Ndërkohë në vend mbërritën mjaft prindër të alarmuar e të tmerruar nga ajo që kishte ndodhur. Secili prej tyre u lehtësua kur mësoi se në ndërtesën që po shkrumbohej nuk ndodhej më askush, pasi të gjithë ishin evakuuar. Kopshti ka një kapacitet prej 140 shtretërish. Gjysma e tyre që ndodhet në katin e parë janë djegur totalisht. Në Patos janë tre kopshte me drekë, të cilët administrohen nga Bashkia. "është i pakonceptueshëm fakti që në një kopsht me më shumë se 140 fëmijë të ekzistojë një rrezik kaq i madh, për shkak të rrjetit elektrik", u shpreh Agush Sota, banor i Patosit. Dyshohet se amortizimi i rrjetit dhe mbingarkesa në këto ditë të ftohta të kenë shkaktuar zjarrin.