Rama, padi penale Berishës
aristir lumeziKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ngre padi penale ndaj kryeministrit Berisha. Padia u dërgua dje në prokurori nga përfaqësuesit ligjorë të kreut të Bashkisë së Tiranës, avokatët Arian Salati dhe Eno Bushi. Për herë të parë kreu i PS-së i kthen përgjigjet kryeministrit për akuzat e këtij të fundit për djalin Grigorin, ish gruan e tij Rudina Magjistari, të ëmën Anetën dhe ‘lidhjen intime me Fidelin’. Kreu i opozitës akuzon kreun e shumicës se ka konsumuar veprën e shpifjes dhe fyerjes për shkak të detyrës. Padia i është referuar deklaratave të Kryeministrit në seancën parlamentare të 26 nëntorit dhe konferencës për shtyp të 2 dhjetorit, kur Berisha ka akuzuar ashpër Ramën për jetën e tij private dhe afera korruptive me lejet e ndërtimit. “Gjatë fjalës së mbajtur në datën 26.11.2009 në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti Sali Berisha ka përhapur botërisht thëniet e mëposhtme, të cituara në vijim në ligjëratë të drejtë: “Cili është ai burrë që bashkëshorten e vet e akuzon se e ka djalin me të atin e tij ...? Zoti Rama, thuaju shqiptarëve cili është ai baba që i mohon djalit kafshatën e gojës? çfarëdo që të ketë bërë djali, kafshata nuk mohohet! Aq më tepër që ai ka qenë i vogël, i mitur...” Në vijim të sulmeve shpifëse ai artikulon frazën: “Ti akuzon babën si baba të djalit!””, thuhet në padinë e dërguar në Prokurori. “Pohoj me bindje e përgjegjësi të plotë para ligjit e shoqërisë përmbajtjen shpifëse të këtyre frazave që nuk kanë absolutisht asgjë të vërtetë. Unë nuk kam bërë e as çuar kurrë ndërmend akuza të tilla të përbindshme, të cilat i hedh poshtë me neveri, kurse djalit tim i kam blatuar të gjithë dashurinë, kujdesin dhe ndihmën e nevojshme për t’u rritur dhe edukuar normalisht”, shton më tej kreu i socialistëve. Rama iu përgjigj akuzave të kryeministrit Berisha edhe për lidhjen e tij me deputetin Fidel Ylli. “I kallëzuari shpif duke insinuuar paturpësisht: “Cila është arsyeja pse Fideli brilanton flokët dhe nuk të ndahet? Eshtë vetëm intime? Nuk besoj se është vetëm intime, jo… Sepse nuk ka dashuri të përjetshme.. E ka tjetërkund hallin ai. Unë do jua them shqiptarëve.”. E sfidoj deputetin Sali Berisha t’u tregojë shqiptarëve gjithshka ai di lidhur me personin tim duke i vënë drejtësisë në dispozicion çdo fakt që ka dijeni apo provë që disponon, për të mbështetur këto turpe që ka nxjerrë nga goja duke shpifur për shkak të detyrës”, thuhet në padi.Pjesë nga padia e Edi Ramës për kryeministrin BerishaGjatë fjalës së mbajtur në datën 26.11.2009 në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti Sali Berisha ka përhapur botërisht thëniet e mëposhtme, të cituara në vijim në ligjëratë të drejtë: 1. “Cili është ai burrë që bashkëshorten e vet e akuzon se e ka djalin me të atin e tij ...? Zoti Rama, thuaju shqiptarëve cili është ai baba që i mohon djalit kafshatën e gojës? çfarëdo që të ketë bërë djali, kafshata nuk mohohet! Aq më tepër që ai ka qenë i vogël, i mitur...” Në vijim të sulmeve shpifëse, ai artikulon frazën: “Ti akuzon babën si baba të djalit!”. Pohoj me bindje e përgjegjësi të plotë para ligjit e shoqërisë përmbajtjen shpifëse të këtyre frazave që nuk kanë absolutisht asgjë të vërtetë. Unë nuk kam bërë e as çuar kurrë ndërmend akuza të tilla të përbindshme, të cilat i hedh poshtë me neveri, kurse djalit tim i kam blatuar të gjithë dashurinë, kujdesin dhe ndihmën e nevojshme për t’u rritur dhe edukuar normalisht. 2. Duke shpifur për gjoja devijime të jetës sime intime, i kallëzuari nxjerr fjalët e mëposhtme: “Zoti Rama, cili është ai burrë i cili ngrihet nga shtrati i së shoqes në kullën e Myslym Pezës dhe shkon në shtratin e Dashit dhe e detyron gruan e tij të largohet natën e lemeritur?”. Kjo është një tjetër shpifje e pashembullt që meriton të gjithë neverinë time, por edhe ndëshkimin e ligjit.3. I kallëzuari shpif edhe për gjoja dhunë të përdorur prej meje në publik ndaj bashkëshortes: “Zoti Rama, më thuaj, cili është ai burrë që e rreh si kafshë te Piazza dhe i mbush fytyrën me gjak bashkëshortes në prani të personaliteteve shqiptare dhe kosovare?”. S’ka absolutisht asgjë tjetër përveç shpifjes edhe në monstruozitetin e sipërcituar dhe nënvizoj se kurrë, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, jeta ime s’ka pasur të bëjë me dhunën ndaj kujtdoqoftë.4. Duke iu drejtuar nënës sime Aneta Rama, i kallëzuari Sali Berisha shqipton fjalët e mëposhtme: “Tani do t’i them zonjës: kam shumë respekt për ty, po do ishte në nderin tënd dhe të integritetit tënd që t’u tregosh shqiptarëve që e ke mjekuar djalin tënd 10 vjet për skizofreni! ... dil me kurajo si nënë shqiptare dhe thuaju të vërtetën, e ngrihu mbi sentimentet e një djali që të ka nxjerrë me lecka, nga shtëpia e tij, me rroba gjumi në pazar.” Në shpifjet e mësipërme që Sali Berisha i përhap publikisht si të dhëna për qëllimin e tij të ulët të diskreditimit të personit tim publik, duke cënuar rëndë e në mënyrë të pafalshme edhe dinjitetin e nënës sime, jo vetëm nuk ka kurrëfarë të vërtete, po ka një urrejtje veçanërisht të patolerueshme për dikë që flet nga foltorja e parlamentit. 5. Duke më akuzuar deri edhe për lidhje me botën e krimit dhe si vrasës i Denis Ginës, i kallëzuari nxjerr deri edhe fjalët e mëposhtme: “I nise aferat me Denis Ginën, i cili u vra në një rrethim me policinë. E vranë me antitank... (pauzë) ...për hir të së vërtetës, të më falë zonja (është fjala për Zj. Rudina Magjistari) po mori për burrë, vrasësin e burrit të parë! Kjo është e vërteta, t’i themi këto gjëra, jemi shqiptarë! Dhe iu desh kohë që të kuptonte. Iu desh që ta pësonte për të kuptuar gabimin që kishte bërë!”. Nuk gjej fjalë për të shprehur indinjatën time për ultësinë e pashoqe ku ka zbritur i kallëzuari që artikulon të tilla perversitete, por theksoj, gjithnjë me përgjegjësi të plotë ligjore e morale, karakterin shpifës kriminal të këtyre sajesave fundekrye, të cilat nuk është hera e parë që deputeti Sali Berisha i kumton publikisht dhe për të cilat kërkoj hetimin e gjykimin deri në fund nga ana e drejtësisë. 6. Në vijim të akuzave të të njëjtës natyrë, për lidhje të fantazuara nga deputeti Sali Berisha me persona të akuzuar nga drejtësia për krime të rënda, i kallëzuari shprehet: “Zoti Rama, cilat janë lidhjet e tua me Aldo Baren. Transkriptimet flasin se mes tij dhe Dondollakut ti firmos si një bajloz.” Dhe më tutje shton akuzat duke më quajtur kreun e një mafieje të supozuar prej tij duke thënë shprehimisht: “Unë të jap fjalën që me atë vullnet e me atë përkushtim që jam përballur në vitin 1990-91 me një sistem që duhej shembur po me atë vullnet të hekurt dhe vendosmëri përballem sot me mafian që ti kryeson!”. E konsideroj absolutisht të domosdoshme transparencën e plotë lidhur me këto shpifje shumë të rënda, të cilat bashkojnë emrin tim me emra personash që s’kanë pasur të bëjnë kurrë me mua, në asnjë mënyrë, rrugë apo rast.7. I kallëzuari shpif duke insinuar paturpësisht: “Cila është arsyeja pse Fideli brilanton flokët dhe nuk të ndahet? Eshtë vetëm intime? Nuk besoj se është vetëm intime, jo… Sepse nuk ka dashuri të përjetshme.. E ka tjetërkund hallin ai. Unë do jua them shqiptarëve.”. E sfidoj deputetin Sali Berisha t’u tregojë shqiptarëve gjithçka ai di lidhur me personin tim, duke i vënë drejtësisë në dispozicion çdo fakt që ka dijeni apo provë që disponon, për të mbështetur këto turpe që ka nxjerrë nga goja duke shpifur për shkak të detyrës.Sulmet e tij shpifëse ndaj personit tim i kallëzuari i përsëriti botërisht edhe në konferencën e tij për shtyp të datës 02.12.2009. Duke përmendur me emër biznesmenë të ndryshëm, ai përhapi ndaj meje sulme shpifëse me pretendimin se sipërfaqe të caktuara ndërtimi janë dhënë me firmën time në dhunim të ligjeve të shtetit. Në vijim po riprodhoj në ligjëratë të drejtë: “Ilir Mata ka me firmën e Edi Ramës 21.350 metër katror leje ndërtimi. Në një vendim 11 mijë metër katror, në tjetrën 9700, e tenderë të tjerë. Të gjitha janë në dhunim të pronave e ligjeve. ... Fidel Ylli, 4.320 metër katror sipërfaqe, me firmë të Kryetarit Edi Rama, 21.532 metër katror, në vitin 2008, e tëra në dhunim të hapur të ligjeve, me firmë të Kryetarit Edi Rama, sipërfaqja tjetër e Yllit të partisë, Fidelit të Ramës, 21.532 metër katror, me firmë të Kryetarit Edi Rama...” Në këto pohime nuk ka asgjë të vërtetë, ato janë shpifje fund e krye, të përhapura me qëllimin për të dëmtuar emrin dhe respektin që unë gëzoj ndër votuesit e forcës politike që drejtoj dhe në shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Në vijim, po citoj këto sulme fyese në ligjëratë të drejtë: “Por ti je një përbindësh... Nga të gjithë politikanët shqiptarë ti je skllav i krimit... Provoje… vazhdo se do jetë si për ata burrat me klimaks, po ti ke qenë me klimaks tërë jetën, ti ke lindur me klimaks... Nuk mund të zgjidh unë botën tënde hormonale...” Etiketime të tilla të qëllimshme nuk ka dyshim që janë kryekëput çnjerëzore dhe cënojnë nderin e dinjitetin tim njerëzor. Ato janë artikuluar botërisht dhe nuk kanë karakter privat, karakteri i tyre është për shkak të detyrës sime institucionale si Kryetar i forcës më të madhe opozitare dhe të detyrës shtetërore si Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Beteja ime me Sali Berishën nuk kryhet për çështje private, por për çështje tërësisht publike dhe me interes të gjerë shoqëror, ndaj edhe sulmet e tij fyese ndaj meje duhet të cilësohen si të konsumuara për shkak të detyrës.