E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Brendshme: 4.6 milionë certifikatat nuk po blihen për manipulim zgjedhjesh



Tiranë – Reagon Ministria e Brendshme për certifikatat. “Megjithëse qytetarët kanë filluar të pajisen me letërnjoftimet elektronike dhe certifikatomania do të marrë fund përsëri, fëmijët e porsalindur duhet të pajisen me certifikatën e lindjes; çiftet e reja, që martohen, do të duhet të marrin certifikatën e martesës; personat që ndërrojnë jetë familjarët e tyre duhet të pajisen me certifikatën e vdekjes; qytetarët në zgjidhje të konflikteve gjyqësore apo regjistrimet e pronësisë kanë nevojë për certifikatën e trungut familjar”, - tha për mediat zëdhënësi i Ministrisë, Fatmir Konja. “Pra, - shtoi ai, - janë këto shërbime të domosdoshme që e bëjnë të detyrueshëm prokurimin e një numri të caktuar certifikatash. Kështu, për shkak të përdorimit tashmë të letërnjoftimeve elektronike, numri i certifikatave të prokuruara është 4,6 milionë krahasuar me 8 milionë të prokuruara vitin e kaluar”, - evidentoi Konja. Ai theksoi se numri i certifikatave për prokurim është përcaktuar mbi kërkesat e paraqitura nga çdo bashki dhe komunë e vendit. Kurse shtoi se Ministria e Brendshme “shpreh keqardhjen për spekulimet që bëhen me zgjedhjet, pasi tashmë Kodi Zgjedhor e ka përcaktuar se dokumentet e vetme për identifikim nga zgjedhësi janë letërnjoftimi elektronik ose pasaporta për udhëtim jashtë shtetit”.

16 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›