U nxorrën nga banesat, 14 familjet tek Margarita Tutulani në grevë urie
Tiranë- Pas largimit nga banesa të 14 familjeve në rrugën “Margarita Tutulani”, këta të fundit ka nisur një grevë urie duke kërkuar ndihmën e shtetit që të gjendet një zgjidhje për ta.
Pas përplasjeve me policinë banorët nxorrën orenditë jashtë pallatit dhe nuk gjetën asnjë zgjidhje për strehimin e tyre. Në këtë mënyrë pasditen e djeshme ata vendosën të nisin një grevë urie pranë pallatit ku kanë jetuar.
Mësohet se sot katër të moshuar janë larguar nga greva, ndërsa ajo po vijon nga nëntë persona të tjerë të cilët i bëjnë thirrje shtetit të gjejë një zgjidhje për ta. Vetë banorët shprehen të revotuar se kanë mbi 70 vjet që jetonë në këtë pallat dhe e shohin si tepër absurd largimin e tyre.
Ditën e martë të 14 familjet u nxorrën me dhunë nga banesat e tyre, për shkak të një vendimi gjyqësor, i cili i jep të drejtën ish-pronarit që ta marrë këtë banesë. Sipas banorëve në nisje të konfliktit të para tre ditëve ka pasur të shtëna armësh, 2-3 herë. Ata shprehen se personi që pretendon se ka pronësinë mbi objektin ka falsifikuar dokumentët, sepse ai ka punuar në Gjykatën e Lartë.
Gjatë paraditës të së martës, situata ka agravuar kur dy persona janë dërguar në spital në gjendje të fikti. Ndërkohë në vendin e ngjarjes deputetë të Partisë Socialiste i bënë apel qeverisë që të përgjigjet për këto situata.
Deputeti Saimir Tahiri i cili shkoi në vendngjarje është përballur me nëndrejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçanin, i pezulluar me dy javë më parë, por mesa duket ushtron ende detyrën e një funksionari të shtetit në Policinë e Tiranës.
Erzen Breçani u pezullua nga detyra per goditje ndaj operatorit të Top-Channel, ku vetë policia përmes një deklarate lajmëroi në 9 prill pezullimin e tij. Banoret e nxjerrë me forcë nga shtëpitë e tyre thanë se do ti drejtohen Prokurorise me akuzën e ushtrimit të dhunës.
Një ditë më pas reagoi edhe Avokati i Popullit, i cili e dënoi ashpër nxjerrjen me dhunë të banorëve, ndërsa ka kërkuar nga qeveria rishqyrtimin e ligjit për tu kthyer banesat ish-pronarëve.