E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzohet kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje!

Nga Express më 30 shtator 2011 në ora 17:18

Të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë refuzuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje! që të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar rreth situatës në Veri të vendit.

“Të mërkurën me datë 28 shtator, në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ua kam dërguar një ftesë kryetarëve të të gjitha grupeve parlamentare, që bashkërisht ta thërrasim një seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutonim për ngjarjet në veri të vendit, dhe atë se çfarë duhet bërë ekzekutivi i Kosovës karshi këtyre ngjarjeve. Ishte kjo një ditë pas dhunës së ushtruar nga strukturat ilegale të Serbisë në protestën e tyre, si dhe në të njëjtën ditë kur pot ë njëjtat struktura kishin sulmuar punëtorët shqiptarë e boshnjakë që pastronin shtratin e lumit Ibër”, thuhet në një komunikatë të Shefit të Grupit Parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymerit.

“Deri sot kam marrë përgjigjen e të gjitha grupeve parlamentare. Ato kanë refuzuar ta marrim iniciativën e përbashkët, duke e cilësuar një seancë të tillë të jashtëzakonshme me këtë debat si shumë të ndjeshme. Kështu mundësia e thirrjes së një seance të tillë është bllokuar në mungesë të nënshkrimeve të mjaftueshme. Përjashtim këtu bën GP i AAK-së i cili si grup ka refuzuar të marrë pjesë në një nismë të përbashkët, por që një pjesë e deputetëve individualisht kanë ofruar nënshkrimet e tyre”, vazhdon komunikata.

Sipas kësaj lëvizje, Qeveria e Kosovës u zbraps nga intervenimi i saj i 25 korrikut, derisa Kuvendi po heziton të flasë për këtë çështje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›