E Diel, 1 Nëntor 2026

U shënua 12 vjetori i Policisë së Kosovës

Nga Express më 06 shtator 2011 në ora 18:40

Policia e Kosovës paraqet shembullin e mirë të përkushtimit dhe shërbimit me profesionalizëm për dymbëdhjetë vjet me radhë, duke arritur të bëhet një faktor i rëndësishëm për ruajtjen e paqes jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjer, u tha me rastin e shënimit të përvjetorit të dymbëdhjetë të themelimit të Policisë së Kosovës.

Në ceremoninë e organizuar të martën, ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të EULEX-it, KFOR-it, korit diplomatik, etj

Në fjalimin e tij, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se Policia e Kosovës përgjatë dymbëdhjetë viteve me radhë ka dëshmuar vlerat e saj, duke shënuar suksese të mëdha në luftimin e krimit dhe në sigurinë e vendit.

“Dymbëdhjetë vjet më parë janë vendosur themelet e njërit nga institucionit më të rëndësishme të sigurisë së shtetit. Suksesi i shtetit demokratik dhe multietnik të Kosovës, më së miri pasqyrohet te ju si polici, si shembull i gjithë rajonit. Këto suksese ndërlidhen ngushtë me përkushtimin e drejtpërdrejt të secilit nga ju, në çdo kohë dhe në çdo cep të Republikës së Kosovës”, ka thënë Rexhepi.

Sipas tij, vetëm një polici e përgatitur mirë dhe e përkushtuar në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, do të sigurojë të ndihemi të qetë, tani kur jemi të pavarur dhe kemi përgjegjësin për sigurinë e vendit.

“Misioni i juaj i shenjtë i ruajtjes së sigurisë jetës dhe pronës së qytetarëve, përveçqë se kërkon angazhim, ai ka edhe sfida të pa ndërprera. Në tejkalimin e këtyre sfidave ne do të dalim gjithnjë më të fortë dhe më të guximshëm, me të gjithë ata që janë të përfshirë në aktivitete kriminale me forcën e ligjit, forcë kjo që buron nga kushtetuta më moderne dhe që respekton të drejtat e njeriut”, ka thënë ai.

Ndërkaq u.d i drejtorit të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni tha para të pranishmëve se Policia e Kosovës në eksperiencën e saj 12-vjeçare tashmë është një institucion modern, i kompletuar me të gjitha komponentët, sipas modeleve dhe standardeve me të mira policore.

Ai shtoi se Policia e Kosovës gjatë këtyre 12 viteve ka ofruar siguri për qytetarët dhe i është përgjigjur në mënyrë koherente rrethanave dhe nevojave të vendit.

“Falë angazhimit të pa lodhshme të të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, konstatoj se rezultatet e viteve të fundit në parandalimin dhe luftimin e krimit, veçanërisht krimit të organizuar, si trafikimi i drogës, trafikimi me qenie njerëzore, kontrabanda të të gjitha llojeve, menaxhimi më efikas i kufirit shtetëror, kanë treguar një ngritje të nivelit të sigurisë në Kosovë dhe vazhdimin e forcimit të ndjenjës së sigurisë për qytetarët e vendit”, tha Maxhuni.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë është zotuar se Policia e Kosovës do të jetë përfaqësues më i spikatur i institucioneve shtetërore dhe të qytetarëve në përgjithësi, si dhe do të jetë simbol i integritetit dhe stabilitet profesional.

Policia e Kosovës është themeluar në shtatorë të vitit 1999. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›