E Diel, 1 Nëntor 2026

U zgjodh për çka është, të jetojmë çka ai sheh

Barak Obama ngjan të jetë njeriu i duhur, në momentin e duhur, në kohën e duhur. Aq i sigurt ngjan përdorimi i kësaj shprehjeje në këtë kontekst, sa të duket se zgjedhja e tij si presidenti i 44-t i SHBA-së, nuk është gjë tjetër, veçse një zgjedhje deux ex machina.

Çfarë do t’i duhej më tepër një Amerike të sotme më shumë, për t’i drejtuar vetes dhe botës një mesazh kaq të fortë shprese.

E lodhur nga luftërat e këtyre viteve, e trembur nga kriza financiare dhe rënia ekonomike që po troket, Amerika e sotme kish filluar ta kish gjithmonë e më të vështirë të përfaqësonte atë që, për të gjithë ne, njihej si ëndrra amerikane.

Obama president, është shpresa e një Amerike dhe, pse jo, një bote ku dallimi racial dallohet akoma në shoqëritë demokratike.

Por, Obama president është gjithashtu një Amerikë që di të bëjë paqe me vetveten dhe të kaluarën e saj. Jo vetëm kaq. Vokacioni universalist i saj do ta përçojë shpresën më larg akoma, në të gjithë ata vende ku zgjedhja e këtij njeriu do të merrte përmasat e zgjedhjes së një presidenti kombëtar.

Amerika mbetet, pra, siç ka thënë dikush, një makinë “për të shpikur të ardhmen”. Me zgjedhjen e tij, ajo i krijoi botës një mundësi të re për të shpresuar. Por edhe një pritshmëri të jashtëzakonshme.

“Sikur ta shihnit, siç e shoh unë, një të ardhme mundësish të pafundme”,- i tha Obama turmës, më 10 shkurt 2008. Ai, në fakt u zgjodh për atë çka është. Le të presim e të jetojmë atë çka ai sheh. Përpara i ka të gjitha: Krizën e tregjeve financiare, rënien ekonomike, luftërat në Irak dhe Afganistan, sfidën iraniane dhe koreanojugore, konfliktin në Lindjen e Mesme, emergjencën e gjigantëve të tjerë ekonomikë në botë. Pra, ka jo pak përpara, që të na bëjë të besojmë në një botë më të mirë…Të shpresojmë, na ka bërë ndërkohë…

PS: Në fakt, për mua do të mjaftonte fare pak për ta quajtur një president të suksesshëm; mjafton t’u bënte mirë shqiptarëve si paraardhësi i tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›