Galilei i Petro Zhejit
Qytetet janë të ngushta, ashtu edhe mendjet e njerëzve. I shkojnë për shtat atij Petro Zheji që njohin nga afër dhe për së lagu njerëzit, këto fjalë që vetë ai i ka përkthyer nga Bertolt Brecht-i. Janë në gojë të Galileo Galileit tek drama historike që autori gjerman e shkroi pas emigrimit në Amerikë nga Gjermania e Hitlerit.
Tek këmisha e veprës në shqipe “Jeta e Galileit” shfaqet emri i Zhejit përkthyes. “Plot 50 vjet përpara, Petro Zhejit iu botua përkthimi i parë”, thotë botuesi i “Argeta LMG”, Mehmet Gëzhilli, i cili ka marrë përsipër të ribotojë veprat e përkthyesit të Servantesit, Gëtes, Asturiasit, Çehovit, Aragonit, Didëroit, Shtajnbekut etj.
Botimin e “Jetës së Galileit” Gëzhilli e quan me rëndësi edhe ngaqë vjen në një përvjetor të rëndësishëm për botën e shkencës. Viti në prag, 2009-a, është shpallur nga UNESCO Viti Ndërkombëtar i Astronomisë nën slloganin “The Universe, Yours to Discover”. I kushtohet 400- vjetorit të vëzhgimeve të para me teleskop dhe zbulimit (1609) që Galileo Galilei bëri duke provuar modelin heliocentrik të sistemit tonë diellor.
Drama e Brecht-it, megjithëse e vendosur në Italinë e Rilindjes së ndritur, është një debat i mprehtë i individit dhe ideve vizionare me autoritetet e sojsojshme. Në rastin e Galileit, është një konflikt i hapur i zbulimit të tij që shkonte kundër besimit të masës dhe sidomos doktrinës kishtare. “Sepse miku im, çdo gjë lëviz”, i thotë nxënësit të tij Andreas i cili shpëton veprën e mësuesit pasi ky dorëzohet para hetimit të Inkuizicionit sepse kishte një përgjegjësi personale dhe shoqërore: “Unë i kam vënë vetes për detyrë që të krijoj një shkencë të re që do të merret me një fenomen fort të vjetër, lëvizjen.”
Brecht-i merret me fazën e fundit të jetës së fizikantit dhe filozofit të Rilindjes Italiane i persekutuar nga Kisha Katolike. Vepra pati premierë më 1943 si prodhim teatral nga Zurich Schauspielhaus. Versioni i dytë u vu në skenë në Coronet Theatre në Los Anxheles më 1947, me regji të Joseph Losey dhe Brechtit vetë.
Thelbi i saj, hetimi ndaj intelektualit, dhe koha kur u shkrua nuk lënë vend të dyshosh që është një vepër provokative për çdo rrethanë represive nga autoritetet politike apo çdo lloj autoriteti, qoftë ky edhe një mentalitet autoritar i shoqërive të mbyllura si kjo shqiptare. Thuhet se Zheji e pat përkthyer në vitet tetëdhjetë, por botimi i saj u refuzua.
Botuesi Gëzhilli pohon se “Jeta e Galileit” e cila botohet për herë të parë në shqipe, nuk mund të përkthehej përveçse nga Petro Zheji. Jo vetëm se është në një zonë që e njeh – Zheji ka studiuar matematikë dhe është i dhënë pas astronomisë dhe fizikës – po edhe ngaqë ai e di mirë se çdo të thotë t’i kurdisen intriga një mendjeje të ndritur për ta çuar në turrën e druve. Ndryshe botuesi do të shprehej “Petroja ka gjetur veteveten aty. Bota e tij e di”. Dhe me humor thotë se kjo figurë i mbetet enigmë. Nuk e ka takuar kurrë. Për të parën kontratë që ka nënshkruar me përkthyesin poliglot për “Jetën e Galileit”, ndërmjetës është bërë i vëllai, Gjergj Zheji. “Kam shpresë se do ta takoj”,- shton ai.
Bashkëpunimi mendohet të vazhdojë me ribotimin e “Papa Jeshil” dhe “Zoti President” i Asturiasit, “Etja për jetë” i Irving Stone-it etj, madje dhe për vëllimin e tretë të studimit gjuhësor “Shqipja dhe sanskritishtja”.
Botuesi i Argeta LMG shpreh respekt për punën e papërsëritshme të Petro Zhejit. Mjaft t’i hyjmë një llogarie të thjeshtë matematikore, thotë ai, dhe na rezulton se ky njeri ka 13 mijë faqe përkthim të botuara që përbëjnë gjysmë milioni tirazh; ka rreth 50 vepra të përkthyera; ka gjysmë shekulli që merret me këtë zanat qysh më 1958 kur u botua përkthimi i tij i parë, vepra me 1200 faqe “Bruski” e Panterovit. Dhe “asgjëkundi nuk flitet për vëllezërit Zheji dhe motrën e tyre Vera që kanë dhënë kaq shumë për kulturën në këtë vend”.
Fragmenti nga “Jeta e Galileit” që po botojmë me përkthimin prej origjinalit gjermanisht nga Petro Zheji është për një lexim të raportit që koha dhe njerëzit krijojnë me “heronjtë”.