E Diel, 1 Nëntor 2026

Ishte zhytur në borxhe për biznes, var veten ndërtuesi

Pronari i një kompanie ndërtimi ka gjetur vdekjen ditën e djeshme, pasi u var në banesën e tij. Viktima është Gjergji Shehu 43 vjeç, lindur e banues në Tiranë, baba i dy fëmijëve. Ai u gjet i vdekur në banjën e apartamentit të tij që gjendet pas shkollës 11 Janari në kryeqytet. I ndjeri u zbulua nga e ëma e cila e lemerisur u përball me skenën e tmerrit. Çdo përpjekje për ta mbajtur në jetë, duke e dërguar të vetëvarurin në spital, rezultoi e pavlerë pasi ai ishte i vdekur. Policia konfirmoi lajmin dhe tha se Gjergji Shehu, pronar i një firme ndërtimi, u gjet i varur në banjon e shtëpisë, në orën 12:30 të ditës së djeshme. Dyshimet e para bien mbi vetëvarjen në kushtet e shqetësimit për problemet financiare, deklaroi policia, e cila shtoi se gjithsesi, po i vazhdon hetimet intensivisht për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të ngjarjes. Mësohet se i ndjeri, i martuar dhe me fëmijë, para pak kohësh, kishte falimentuar në biznesin e tij, në fushën e ndërtimeve. Pas falimentimit, në përpjekje për të ringritur dhe mbajtur gjallë biznesin e tij disa vjeçar, 43- vjeçari Shehu ka marrë një sasi të madhe të hollash në formë kredish bankare që nuk po mundte dot ti shlyente. Ky shkak besohet të ketë nxitur 43- vjeçarin në vendimin tragjik për ti dhënë fund jetës duke u vetëvarur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›