Shkodër, shkatërrimi i tregut nga dëbora nxjerr në rrugë tregtarët
Dëbora madhe që ra pak kohë më parë në Shkodër, e cila u vlerësua e njëjtë me atë të 25 viteve më parë, shkatërroi plotësisht tregun e fruta-perimeve, të ndërtuar nga Bashkia e Shkodrës në afërsi të stadiumit. Në këtë mënyrë, ai u bë i papërdorshëm nga tregtarët- fermerë si dhe ata ambulantë që tregtonin aty.
Ky treg arriti të fuste në zonën e tij shumë shitës ambulantë, që në të vërtetë nuk bënin asgjë tjetër përveç hedhjes së mbeturinave, mbas mbarimit të tregut në përgjithësi. Rrugët ziheshin nga këto tregtarë dhe bashkia me të drejtë kërkoi edhe zbrazjen e rrugëve, nga të tillë ambulantë. Ky treg ishte një model i punës në kushte të mira tregtie, por bora e shembi dhe e shkatërroi plotësisht. Që nga ajo ditë, tashmë të gjithë tregtarët i janë përshtatur edhe një herë punës së tyre në rrugë. Në fakt, riparimi i tregut është sensibilizuar nga mediat, por deri më tani ky model i mirë i Bashkisë së Shkodrës nuk është rivënë në funksion dhe arsyet nuk dihen, a janë mungesa e fondeve, apo ndonjë neglizhencë e sektorit që merret me pikërisht këtë gjë në Bashki. Tashmë shitësit ambulantë po përkeqësojnë imazhin e tregtimit, i cili është kthyer në rrugë. Kësaj radhe mund të konsiderohen pa faj dhe Bashkia po e toleron shumë këtë dalje të tyre në terren, që rikthen edhe një herë skenat e pisllëkut dhe kaosit në shitje të parimeve dhe zarzavateve. Kthimi në rregullin e tregut të caktuar, tashmë është bërë një domosdoshmëri dhe sa më shumë të vonohet Bashkia për të rivendosur pikërisht këtë rregull, aq më shumë ambulantët po mësohen me kushtet e rrugës dhe pa asnjë dyshim po shtohen, sepse tashmë kontrolli është tepër i vogël.