E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

UASHINGTON – Ceremonia e betimit të Donald Trump si president i SHBA-së

UASHINGTON, 20 janar /ATSH/ – Presidenti amerikan Donald Trump mbërriti në Kapitol, ku do të zhvillohet ceremonia zyrtare e betimit si presidenti i 47-të i SHBA-së, sipas BBC.

Ai hyri krah për krah me presidentin në largim Joe Biden.

Ligjvënësit republikanë mbërritën gjithashtu, në Kapitol.

Mes tyre janë ligjvënës republikanë dhe aleatë të Donald Trump, duke përfshirë përfaqësuesen e Dhomës së Përfaqësuesve Marjorie Taylor Greene nga shteti i Xhorxhias, si dhe senatori i Kentakit, Mitch McConnell me bashkëshorten e tij, Elaine Chao.

Ish-kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Kevin McCarthy është gjithashtu i pranishëm.

Miliarderët e teknologjisë, kandidatët e kabinetit dhe ish-presidentët marrin pjesë në ceremoninë e betimit në ndërtesën e Kapitolit, në Rotondë, në SHBA.

Ngjarja u zhvendos në ambiente të mbyllura për herë të parë pas disa dekadash – për shkak të të ftohtit të ashpër.

Në më pak se një orë, Donald Trump ka mbatur fjalimin e tij pas ardhjes në detyrë.

Në fjalën e tij, Trump kritikoi administratën e Biden dhe mënyrën se si ishte trajtuar kriza e emigrantëve.

“Sfidat e vendit do të “asgjësohen”, tha Trump duke shtuar se SHBA-ja po përballej me krizën e besimit ndaj një institucioni radikal dhe të korruptuar.

“Administrata e mëparshme, ka siguruar strehë dhe mbrojtje për “kriminelët e rrezikshëm” që kanë hyrë ilegalisht në vendin tonë”, shtoi ai.

“Qeveria ka dhënë fondet e pakufizuara për mbrojtjen e kufijve të huaj, por refuzon të mbrojë kufijtë amerikanë”, tha ai.

“Tani kemi një qeveri që nuk mund të menaxhojë as një krizë të thjeshtë në vend”, tha Trump.

Trump thotë se qeveria e tij do të punonte për të përballuar çdo krizë me “dinjitet, fuqi dhe forcë” dhe do të sillte sërish prosperitet për qytetarët e çdo race, feje, ngjyre dhe besimi.

“20 janari 2025 është dita e çlirimit”, tha Trump.

“Shpresoj që zgjedhjet e fundit të mbahen mend si më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet në historinë e vendit tonë”, shtoi ai.

“Më është dhënë një mandat për të përmbysur plotësisht atë që mund ta quaj “një tradhti të tmerrshme” nga personat në pushtet kundër popullit amerikan”, tha Trump duke shtuar se ai do t’u jepte njerëzve besimin e tyre, pasurinë e tyre, demokracinë dhe lirinë e tyre.

“Që nga ky moment, rënia e Amerikës ka përfunduar”, theksoi ai.

Ne fjalimin e tij Trump, trajtoi gjithashtu atentatin kundër tij.

“Fati i lavdishëm i kombit tonë nuk do të mohohet më”, tha Trump.

Duke reflektuar mbi atentatin ndaj tij, ai tha se gjatë tetë viteve të fundit ishte testuar më shumë se çdo president.

“Disa njërëz janë përpjekur të ndalojnë kauzën time dhe janë përpjekur te marrin lirinë time dhe në të vërtetë jetën time”, shtoi ai.

Ai tha se jeta e tij ishte shpëtuar “për një arsye” – “për ta bërë Amerikën përsëri të madhe” – slogani i tij për dy cikle fushatash.

Emergjenca kombëtare në kufirin jugor do të nënshkruhet sot.

Trump tani është duke detajuar disa nga veprimet ekzekutive të planifikuara dhe do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që shpall emergjencën kombëtare në kufirin SHBA-Meksikë.

“Të gjitha hyrjet e paligjshme do të “ndalohen menjëherë”, tha ai, duke shtuar se qeveria do të fillojë procesin e kthimit të miliona “të huajve kriminelë” nga vendet që kanë ardhur.

Ai foli për disa nga veprimet që ka planifikuar, duke përfshirë rivendosjen e të ashtuquajturës politikë “Të Mbetet në Meksikë” dhe dërgimin e më shumë trupave dhe fuqisë punëtore në kufi. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›