E Diel, 1 Nëntor 2026

UEFA cakton grupet, kombëtarja U17 në një grup me Serbinë

NION- Në Nion të Zvicrës, sot është hedhur shorti për eliminatoret e kampionateve europiane të moshave, për 17 vjeçarë dhe 19 vjeçarë. Goglat kanë qenë të pamëshirshme për Shqipërinë, sidomos për kombëtaren U17 të drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç. Ajo është kualifikuar për në raundin elitë të kampionatit europian, por për të qenë në finalet e tij, duhet të kalojë edhe një tur. Shorti e ka vendosur përfaqësuesen kuqezi në një grup me Serbinë, me Holandën dhe me Irlandën. Tre kombëtare shumë të forta, ku shpresat për një kualifikim duken vërtet të vogla. Ndeshjet do të luhen në Holandë në datat 22 deri më 27 mars të vitit të ardhshëm, ndërsa me shumë interes pritet përballja me serbët. Shqipërisë i duhet të zërë vendin e parë në grup që të jetë në finalet e Europianit, ndonëse duhet thënë se kualifikimi deri në këtë fazë ka qenë një arritje e madhe për ekipin kuqezi. Ndërkohë, përsa i përket eliminatoreve të Europianit 2013, kombëtarja shqiptare e 17 vjeçarëve do të jetë në një grup me Italinë, Hungarinë dhe Lihtenshtejnin. Ndeshjet eliminatore do të zhvillohen në datat 12-17 tetor në Hungari dhe parashikohen deri diku të pranueshme, pasi vetëm Italia është një kundërshtar që të tremb. Ndërkohë, për kombëtaren e 19 vjeçarëve, shorti nuk duket aspak i lehtë edhe pse eliminatoret do të zhvillohen në Tiranë në tetor të vitit të ardhshëm. Shqipëria ndodhet në një grup me Belgjikën, Holandën dhe Bjellorusinë, ç’ka e bën misionin e kuqezinjve 19 vjeçarë shumë të vështirë.

SHORTI
U17
(Raundi elitë, Euro 2012)
Grupi 5
Serbi
Holandë
Irlandë
Shqipëri
(Ndeshjet luhen në datat 22-27 mars 2012 në Holandë)
U17
(Euro 2013)
Grupi 8
Itali
Hungari
Shqipëri
Lihtenshtejn
(Ndeshjet luhen në datat 18-23 tetor 2012 në Hungari)
U19
(Euro 2013)
Grupi 7
Belgjikë
Itali
Bjellorusi
Shqipëri
(Ndeshjet luhen në datat 12-17 tetor 2012 në Shqipëri)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›