E Shtunë, 31 Tetor 2026

UFO-t e politikës nuk i pranon as Perëndia

08-11-2011 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë deklaron se Kongresi i Ramës s’i plotësoi dot as kriteret e kurban-kongresit, pasi I Gjithëfuqishmi s’pranon dot sakrifica e kurbane nga UFO-t e politikës

Kreu i ekzekutivit Sali Berisha iu referua dje, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, punimeve të Kongresit të PS-së, i cili u mblodh fundjavën e kaluar. Nisur nga propaganda që u proklamua në Kongres, përplasjet dhe debatet e ashpra që shoqëruan bërjen e listës së anëtarëve të asamblesë dhe miratimi i programit të ri politiko-ekonomik, kryeministri Berisha e cilësoi PS-në si një autobus që ecën drejt etërve komunistë. “Autobusi po ecën para drejt etërve. Dua t’i garantoj se nuk do të ketë në atë drejtim as etër e as bij. Jo, sepse shqiptarët janë ndarë nga ata. Jozefina kishte të drejtë kur e cilësoi ‘Kurban Kongres’. Ngaqë u mblodh natën e Bajramit. Jo, nuk ishte ashtu sepse në doktrinë e shenjtëri, kurbanin duhet ta pranojë i gjithëfuqishmi. Ti mund të mendosh por të quhet kur pranohet. Po nuk tu pranua të shkon kot. Në listën që ka shanse të pranohet UFO-t janë përjashtuar plotësisht. Zoti UFO nuk pranohet. Kështu që tentativa u bë por dështoi”, u shpreh Berisha. 

Fundjavën e kaluar, Partia Socialiste thërriti Kongresin e saj, forumin më të lartë vendimmarrës, për të diskutuar dhe miratuar programin e ri politiko-ekonomik. Por, në vend që punimet e Kongresit të ishin moment reflektimi për Partinë Socialiste dhe drejtuesin e saj, ato u shndërruan në fushë betejë të dhunshme mes delegatëve, të cilët me “të drejtë” kërkonin emrin e munguar në listën e kandidatëve të Asamblesë. Dhe gjithçka erdhi si rrjedhojë e procesit të manipuluar të zgjedhjes së delegatëve të Kongresit 3 javë më parë.    

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›