OSBE: Ende i ulët përfaqësimi i grave në jetën politike
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, inkurajon angazhimin e grave në jetën politike, që varion nga forumet rajonale që i nxisin gratë të ndërmarrin më shumë përgjegjësi politike, trajnimet për kandidatet gra për zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2011, si edhe për pjesëmarrëse të tjera për të lobuar, për të avokuar dhe për të punuar me median, dhe emisione televizive të prodhuara në të gjitha qarqet, si dhe një shkollë verore për gratë e zgjedhura këshilltare. Kështu u shpreh sot ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth, gjatë konferencës me titull “Rritja e Rolit të Gruas në Qeverisje” si pjesë e projektit trevjeçar të financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Wollfarth vlerësoi se “Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta ka mbështetur shumë aktivitete të organizuara në kuadrin e këtij projekti. Forume të ndryshme janë ndjekur nga Ministri, Zëvendësministri dhe stafi i tyre”. Sipas tij, një nga rezultatet më të spikatura të projektit, sipas këndvështrimit, është Platforma Kombëtare për Gratë. “Për herë të parë në kujtesën moderne të politikës shqiptare, kjo Platformë e sapokrijuar për Gratë sjell së bashku 1 500 gra nga parti të ndryshme politike, shoqëria civile dhe biznesi. Anëtarët e task force-s kanë luajtur një rol kyç në sfidimin e steriotipeve gjinore, ndërgjegjësimin në lidhje me nevojën për të promovuar barazinë gjinore, si dhe për të siguruar zbatimin e kuotës gjinore nëpërmjet lobimit dhe ndërgjegjësimit”- tha ai. Por, kreu i prezencës së OSBE-së theksoi se ka ende punë për t’u bërë lidhur me përfaqësimin e grave në funksione publike. Wollfarth rekomandoi që partitë politike të respektojnë kuotën e barazisë gjinore në strukturat e tyre. Në këtë sens, Wollfarth theksoi se duhet respektuar Kodi Zgjedhor, përsa i takon respektimi të kuotës gjinore. “Pavarësisht nga sa më sipër, duhet të pranojmë se ka ende punë për të bërë në lidhje me përfaqësimin e grave të zgjedhura në poste publike. Me sa shohim, nivelet aktuale mbeten qartë jo shumë të larta - 17% (në parlament) dhe 12.4 % këshilltare femra. Këtu lind pyetja pse nuk u zgjodhën më shumë gra kandidate. Më lejoni t’ju kujtoj se: objektivi ishte 30% ose më shumë. Duket se pengesat ndaj rritjes së pjesëmarrjes së grave ekzistojnë ende në shumë parti politike që nuk respektojnë kuotën gjinore, në strukturat e administratës zgjedhore që nuk marrin masa për zbatimin në mënyrë rigoroze të kuotës gjinore, dhe në mungesën e dukshme të proceseve të brendshme demokratike në partitë politike. Tani është koha të shohim drejt së ardhmes, për të siguruar më shumë barazi mundësish për integrimin gjinor në politikë. Sigurisht që duhet trajtuar çështja e përmirësimit të mekanizmave demokratik në përzgjedhjen e kandidatëve. Ndryshimi i sjelljes së partive politike, drejtimi i dominuar kryesisht nga meshkujt, dhe ngritja e kapaciteteve të grave, mbeten sfidë. Ajo që mbetet prioritet për Prezencën është ofrimi i asistencës për të nxitur bashkëpunimin e mëtejshëm midis burrave dhe grave nga parti të ndryshme dhe shoqërisë civile. Për të parë një përfaqësim gjinor të fuqishëm mund të nevojitet një zbatim më i mirë i legjislacionit përkatës zgjedhor, përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Le të shohim sa seriozë do të tregohen partitë politike, veçanërisht partitë e mëdha, për “të arritur standardet” në përmbushjen e detyrimeve të tyre demokratike, në mënyrë që 50% e popullsisë të mund të thonë fjalën e tyre për mënyrën si duhet qeverisur ky vend. Më lejoni të them se mundësitë që u jepen grave të përfaqësohen në organet politike dhe të ndikojnë në çështjet politike, janë një parametër i rëndësishëm i demokracisë. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë të mbështesë rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe politike edhe për zgjedhjet e vitit 2013”- deklaroi më tej, ambasadori Eugen Wollfarth.
...