E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha: 100 ditët e para treguan se ne e mbajmë fjalën

08-11-2011 / Leonard Quku

100 ditët e para të administratës së re të po tregojnë se me sa seriozitet trajtohen premtimet që i janë bërë qytetarit. Konkursi ndërkombëtar për ndërtimin e Bulevardit të ri të Tiranës dhe përfundimi i aksionit për hipotekimin e apartamenteve – stacionet e afërta të qeverisjes së re të kryeqytetit 


Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha informon qytetarët për të gjithë punën e bërë gjatë 100 ditëve të para të bashkisë së kryeqytetit. Në 100 ditët e para të administratës “Basha”, u mbajtën premtimet për hipotekimin e apartamenteve, mbrojtjen e konsumatorit, reduktimin e taksave, kartën e studentit si dhe nisjen e projekteve të rëndësishme si zgjatimi i Bulevardit dhe Tramvajit të Tiranës, Kinostudio – Kombinat dhe drejtimi veri – jug. Në muajin maj të vitit të ardhshëm, Tirana do ketë gati edhe planin e ri urbanistik, i cili do t’i japë një shtysë të re zhvillimit ekonomik të kryeqytetit


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i shoqëruar nga drejtuesit e administratës së tij, doli dje në një komunikim publik, duke bërë transparencë për punën e Bashkisë në 100 ditët e paranë krye të bashkisë më të madhe në vend. 


Duke u ndalur në secilin prej premtimeve të dhëna për 100 ditëshin e parë, Basha tregoi rezultatet e arritura, dhe premtoi se kjo mënyrë komunikimi me qytetarët e Tiranës, për punën e Bashkisë do të jetë e përhershme. 


“Në qendër të veprimtarisë së Bashkisë së Tiranës ka qenë është dhe do të mbetet një bashki e hapur për qytetarët dhe kjo është reflektuar më së miri në mënyrën e re të punës dhe përqasjes së re që kemi adoptuar ndaj problemeve të qytetarëve. Personalisht kam vazhduar takimet me qytetarët çdo të premte dhe kjo praktikë po ndiqet nga të gjithë zyrtarët e lartë të Bashkisë së Tiranës. Së shpejti një grafik i pritjes së qytetarëve nga të gjithë nivelet drejtuese të Bashkisë së Tiranës do të bëhet publik dhe përllogaris që vetëm nëpërmjet pritjes së drejtpërdrejtë nga nivelet drejtuese, Bashkia e Tiranës do të mund të trajtojë kërkesat, problemet, shqetësimet e afro 700 – 800 qytetarëve në javë, pa llogaritur numrin e qytetarëve të cilët priten dhe problemet e të cilëve trajtohen nga Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun, ku trajtohen kërkesat e 250-400 qytetarë në ditë. Në themel të kësaj veprimtarie qëndron bindja jonë se e vetmja mënyrë për të trajtuar problemet e qytetarëve të Tiranës me eficencë dhe për t’i zgjidhur ato me sukses është duke i dëgjuar ata, se e vetmja mënyrë për të dhënë lidershipin e duhur në zgjidhjen e problematikave të akumuluara të qytetit tonë, por edhe në ekzekutimin e projekteve ambicioze që kemi për qytetin e Tiranës, është duke dëgjuar qytetarët. Kjo është arsyeja se pse unë vazhdoj t’i kushtoj kaq energji dhe kohë këtij komunikimi, dhe kërkoj të njëjtën gjë nga bashkëpunëtorët e mi. Deri tani ky ka rezultuar një bashkëbisedim shumë i frytshëm dhe një mënyrë me këmbë në tokë, për të matur veprimtarinë e institucioneve të ndryshme të Bashkisë, për të matur efiçencën time personale si Kryetar i Bashkisë por edhe të bashkëpunëtorëve të mi”, u shpreh Basha. 


Një premtim i mbajtur nga bashkia e Tiranës, është hipotekimi i banesave në Tiranë, i cili sipas Bashës do të finalizohet brenda afatit të premtuar, pasi aktualisht procesi është në realizim e sipër në të tre fazat e tij. 


“Brenda këtyre 100 ditëve, ndonëse të penguar nga një numër problematikash objektive, bashkëpunëtorët e mi arritën të bëjnë evidentimin e plotë, të propozojnë masat përkatëse dhe të nisin zbatimin e një premtimi tjetër madhor, atë të realizimit të hipotekave të parealizuara në qytetin e Tiranës. Siç edhe jeni informuar, faza e parë tashmë ka përfunduar me dërgimin pranë institucioneve përkatëse të të gjithë objekteve të pajisura me leje shfrytëzimi dhe brenda një periudhe tre katër javore, me përfundimin e lejeve të shfrytëzimit për të gjithë ato objekte të cilat për shkak të burokracisë dhe zvarritjeve në Bashkinë e Tiranës mbetën peng këtu në Bashkinë e Tiranës dhe faza e tretë që është edhe më problematikja është në rrugë të drejtë të zgjidhjes në bazë të mirëkuptimit të vendosur me institucione të tjera përkatëse dhe me të cilat po harrojmë masat e duhura ligjore. Ndonëse problem po zgjidhet në tre faza, ju garantoj se premtimi do të mbahet plotësisht, siç është mbajtur për 100 ditët e para duke hapur rrugën për hipotekimin e plotë të gjithë apartamenteve të qytetarëve të Tiranës që i kanë akoma të hipotekuara, brenda afatit të premtuar”, tha Basha. 


Mbrojtja e konsumatorëve ishte premtimi i Bashës gjatë fushatës elektorale, dhe për këtë bashkia e Tiranës ka ngritur Agjencinë për Mbrojtjen e Konsumatorëve, e cila do ketë si funksion mbrojtjen e qytetarëve nga veprimet e paligjshme në treg. 


“Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak ne premtuam strukturën e Bashkisë së Tiranës dhe këtu pa dyshim mund të ndalesh për një kohë të gjatë, por do të doja të ndalesha për një moment që ka të bëjë po kështu me një premtim dhënë qytetarëve ët Tiranës, mbrojtjen e tyre nga veprimtaria e paligjshme në tregjet dhe njësitë tregtare të kryeqytetit, mbrojtja e konsumatorit, nga mallrat pa cilësi, nga shërbimet pa cilësi, nga mungesa e kushteve higjeno-sanitare por edhe nga spekulimi me çmimet, tashmë do të ketë një instrument të fuqishëm dhe ky instrument është Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit e cila do të ketë detyrë kryesore dhe të vetme, fokusimin në mbrojtjen e qytetarëve të Tiranës, në mbrojtjen e konsumatorëve në qytetin e Tiranës dhe do ta kryejë këtë detyrë, pa më të voglin hezitim duke zbatuar ligjin dhe duke i dhënë çdokujt që guxon të abuzojë me çmimet, cilësinë, sigurinë e produkteve që u tregtohen qytetarëve të Tiranës, atë që u rezervon ligji”, theksoi kryebashkiaku Basha. 


Një moment shumë të rëndësishëm për qytetarët e Tiranës, Basha cilësoi hartimin e Planit të ri Urbanistik të Tiranës, mungesa e të cilit është shkaku i problemeve me të cilat ballafaqohen sot qytetarët. 


“Ne nisëm procesin e përfundimit të Planit Urbanistik të Tiranës, të bindur se mungesa e këtij plani është në themel të shumë vendimeve të gabuara dhe problemeve me të cilat ballafaqohen sot qytetarët e Tiranës që nga pragu I derës ku jetojnë dhe deri në sheshin qendror të qytetit. Edhe në procesin e Planit Urbanistik të Tiranës, themelore është konsultimi, në çdo nivel e hap të procesit dhe nëpërmjet një konsultimi gjithëpërfshirës ne kemi realizuar sot hapat më të rëndësishëm në drejtim të përfundimit të këtij plani, siç janë: Ekzaminimi i plotë i punës, të dhënave, dokumentacionit të trashëguar dhe hartimi i planit të metodologjisë në mbështetje të konsulencës ndërkombëtare si dhe vendimet e para strategjike të cilat do t’i hapin rrugë hapave të tjerë që pa dyshim do të përmbyllin brenda kohës së caktuar, objektin tonë ambicioz, ‘Tirana me një Plan Urbanistik’ të plotë brenda muajit Majit të vitit që vjen. Në këtë plan urbanistik do të respektohen në mënyrë të plotë dy parimet kryesore: respekti i plotë për pronën private të qytetarëve dhe fitimi i hapësirave të munguara e të cunguara publike, që nga hapësirat e gjelbra, tek rrugët të parametrave europiane, hapësirat për kopshtet, shkollat dhe çerdhet anembanë qytetit. Në fokus të këtij plani nuk do të jenë ndërtuesit, por qytetarët dhe ndërtuesit dhe bizneset e tjera do të shikojnë se Bashkia do të jetë një partnere luajale për të ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe punësimin, si prioriteti ynë numër një por që asnjë çast nuk do të bjerë pre e klientelizmit dhe e planifikimit jo transparent që ka dëmtuar dhe vazhdon të gërryejë interesat e qytetarëve të Tiranës”, deklaroi Basha. 


Sipas tij, pjesë e këtij plani janë edhe ndërhyrjet emergjente, ato të cilat të kërkuara prej kohësh, të munguara prej kohësh kanë edhe impaktin më negativ në jetën e përditshme të qytetarëve të Tiranës, këmbësorë apo shoferë, pronarë automjetesh private apo përdorues të transportit publik. Për Bashkinë e Tiranës, ndërhyrja më masive është pa dyshim, rehabilitimi i trafikut në sheshin “Skënderbej”, deri në gjetjen e zgjidhjeve përfundimtare të cilat do të mundësojnë rrjedhjen e trafikut pa problem në qendër të qytetit dhe në Unazat rrethore të tij e në të njëjtën kohë dhënien e parametrave maksimalë urbanë si gjelbërimi, çlodhja dhe veprimtaritë rikrijuese për qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë, të cilët frekuentojnë qytetin dhe hapësirat tona urbane, në mënyrë të përditshme. 


“Zgjidhja e çështjes së trafikut në qendër të Tiranës është pa dyshim një kontribut që ne japim jo vetëm në komfortin e përditshëm të qytetarëve të Tiranës por edhe në ekonominë e qytetit si dhe në ambientin e qytetit, që ka vuajtur prej një kohe të gjatë vendimet e pa planifikuara të marra në këtë drejtim”, tha Basha. 


Brenda një kohe shume të shkurtër kryebashkiaku Lulzim Basha, integroi në planin e 100-ditëve dhe realizoi premtimin kryesor, atë të heqjes së 60 tarifave dhe taksave dhe reduktimin e barrës fiskale në qytetin e Tiranës. Ky vendim sipas Bashës,  ishte mënyra e duhur për të ecur përpara me zhvillimin ekonomik të qytetit dhe krijimin e vendeve të lira të punës. 


Kryebashkiaku Basha theksoi se një tjetër sukses është edhe platforma e decentralizimit, e cila do t’i japë më shumë kompetenca kryetarëve e minibashkive duke ruajtur kompetencat e kontrollit. Në këtë mënyrë sipas Bashës qytetarët do të mund t’i zgjidhin problemet e tyre sa më afër shtëpisë dhe jo të përplasen në dyert e bashkisë. 


Disa nga premtimet që Basha theksoi se janë drejt realizimit të tyre janë hapja e konkursit për Bulevardin e Tiranës dhe rehabilitimi i lumit, termat e referencës për tramvajin e Tiranës ndërsa është përmbushur edhe adresimi i sigurisë në trafik për shkollat e kryeqytetit. 


“Kemi përfunduar të gjithë punën parapërgatitore për të hapur konkursin për bulevardin e ri të qytetit të Tiranës, nga Stacioni i Trenit deri tek Lumi i Tiranës si dhe për rehabilitimin e lumit të Tiranës nga Ura e Brarit tek Ura e Kamzës, për ndërtimin e arteries, që pastaj do ta lidhë këtë vepër të madhe të infrastrukturës sonë, më të madhen në 80 vitet e fundit, me rezervuarin e Paskuqanit, për të ndërtuar atje një Park të Ri, një mushkëri të re të qytetit tonë. Kemi përfunduar termat e referencës për Tramvajin e Tiranës dhe përkatësisht për dy drejtimet kryesore, Kinostudio-Kombinat dhe drejtimin veri-jug, ku do të përfshihet edhe arteria që tashmë do të projektohet nga hekurudhë në rrugë, për tramin, nga Stacioni aktual i Trenit, tek Stacioni i ri në dalje të Tiranës, në zonën e Laprakë”, tha ndër të tjera, kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. 


Kryebashkiaku Basha iu përgjigj më pas interesit të medias 


Çfarë kontributi do i njihnit këshilltarëve të majtë në realizimin e gjithë këtyre nismave, që për të gjithë ne qytetarët e Tiranës janë të ndjeshme?


Për mua, që nga dita e parë e deri në ditën e fundit në Bashkinë e Tiranës, Këshilli Bashkiak do të jetë përfaqësuesi i interesave të qytetarëve, ndaj ndonëse natyrisht si në çdo demokraci, çdo këshilltar ka ardhur si mbështetje e një force politike, unë nuk i kam ndarë dhe nuk do I ndaj kurrë këshilltarët në të majtë apo të djathtë, por do i ndaj në përfaqësues të interesave të qytetarëve të Tiranës dhe besoj se qytetarët do të jenë ata që do të vlerësojnë më së miri se si po i përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Tiranës, nëse kanë këto interesa parësore apo kanë interesa politike parësore. Unë besoj dhe do të vazhdoj të punoj për një Tiranë e cila përfiton nga puna për të zgjidhur problemet dhe hallet e qytetarëve, pa dallim pikëpamjesh politike, pasi problemet me të cilat përballen qytetarët e Tiranës janë të njëjta pavarësisht bindjeve politike dhe do ftoj në çdo moment, në çdo rast edhe Këshillin Bashkiak, edhe këshilltarët të bëjnë të njëjtën gjë.


A keni një përgjigje lidhur me akuzat që po bën Partia Socialiste se është mashtrim ajo me hipotekat, pasi është një procedurë që sipas tyre ka nisur që në kohën kur kjo Bashki drejtohej nga Edi Rama?


Nuk dëshiroj të harxhoj kohën time dhe kohën e askujt me akuza apo kundër-akuza heqje përgjegjësi apo marrje meritash. E rëndësishme është që procesi ka nisur, procesi nuk do të ndalë dhe do të rezultojë me përfundimin e hipotekimit për të gjithë qytetarët e Tiranës që nuk kanë hipotekën në dorë. Bëhet fjalë për një numër shumë të madh qytetarësh, mund të bëhet fjalë për 120 mijë qytetarë dhe ajo që këta qytetarë presin është zgjidhja e problematikës dhe jo sherre politike. Për të zgjidhur këtë problem, unë jo vetëm kam premtuar angazhimin e plotë të Bashkisë së Tiranës por edhe kam hedhur hapat e duhur në këtë drejtim, siç ishte marrëveshja që nënshkruam me Ministrinë e Drejtësisë dhe Transportit. Në asnjë moment nuk kam pretenduar se jam unë që kam firmosur këto 124 leje shfrytëzimi por kam thënë dhe them se Bashkia e Tiranës do të marrë përgjegjësinë që i takon përfundimit të procesit deri në hipotekimin e plotë me 124 lejet e shfrytëzimi që është etapa e parë, do të përfundojnë lejet e tjera të shfrytëzimit që kishin mbetur peng i administratës së Tiranës. Natyrisht këto leje shfrytëzimi do i firmos unë dhe do të ecë me një numër tjetër lejesh shfrytëzimi të cilat kanë mbetur peng i mungesës së koordinimit dhe bashkëpunimit dhe mungesës së interest në çdo nivel, por duke nisur gjithmonë nga Bashkia e Tiranës. Në procesin e nisur nga Bashkia e Tiranës bëhet fjalë për disa faza. Faza së cilës ju i referoheni ka të bëjë me leje shfrytëzimi të vjetra të cilat kanë mbetur peng i mos komunikimit, i mosbashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve të tjera dhe ajo që kam thënë që nga fillimi është që Bashkia e Tiranës do të marrë përgjegjësinë e vet dhe do të kërkojë ashtu siç i takon, duke përfaqësuar interesat e qytetarëve të Tiranës, që këto 124 leje shfrytëzimi të kthehen në hipotekim dhe qytetarët të marrin hipotekat që u takojnë. Veç këtyre kemi të bëjmë me një numër të madh objektesh, të cilët kanë mbetur peng i vetë burokracisë së Bashkisë së Tiranës. Ky proces do të çlirohet brenda 3-4 javëve të ardhshme dhe pastaj do të ecim me pjesën më problematike për të cilën aktualisht po diskutojmë instrumentet e duhur ligjorë. Kjo është ajo që kam thënë që nga fillimi dhe besoj se këtu është me vend që të gjithë ata që kërkojnë zgjidhjen e këtij problemi, sepse jam i bindur se problem prek të majtë e të djathtë, pa asnjë dallim, të fokusohen në dhënien e zgjidhjes, veçanërisht ku janë anëtarë të Këshillit Bashkiak, dhe jo në ngritjen apo rinovimin e akuzave, heqjen e përgjegjësisë, apo marrjen e meritave.


Kur flasim për një Xhami të Re, (siç premtuat dje në ditën e Kurban Bajramit) do të thotë që do i referoheni këtij projekti dhe sheshit që është përcaktuar më parë nga Edi Rama?


Do i referohemi çdo pune që është bërë deri tani, por pa dyshim do të shikojmë pikë së pari që projekti të mos cenojë parametrat urbanë të qytetit të Tiranës apo probleme të tjera. Së dyti që të gjithë qytetarët e Tiranës të gjejnë përfaqësim në vendimmarrje, besimtarë apo jo, anëtarë të komunitetit të besimit islam apo jo dhe së treti që zgjidhja të jetë afatgjatë, e qëndrueshme dhe t’i japë qytetit të Tiranës jo vetëm infrastrukturën për t’i shërbyer besimtarëve, por edhe monumente të nivelit bashkëkohor.


Duke nisur nga fakti që u bënë disa korsi për ndarjen e autobusëve, u bënë me taksat e taksapaguesve, po shikojmë që ato po hiqen, konkretisht tek rruga e Kavajës. A ka kosto, do të bëhet diçka dhe çfarë zgjidhje do i jepet?


Transporti publik është në qendër të vëmendjes sonë, jo vetëm që nuk do të ketë reduktim të korsive të dedikuara, por vetë filozofia jonë e transportit publik do të shkojë tek shtimi i këtyre korsive dhe vetë projekti i Tramit është projekt i një korsie të dedikuar për transport masiv dhe cilësor publik, jug – veri, lindje – perëndim dhe në këtë drejtim ne do të ecim me shpejtësi të madhe, në mënyrë që çdo qytetar i Tiranës, madje dhe pronarët e automjeteve private të ndiejnë që është më mirë, më komfortabël, pse jo edhe më lirë të zgjedhin transportin publik. Sot, kjo mund të duket si utopi, sigurisht nuk do të ndodhë nesër, por ne po hedhim të gjithë hapat e duhur, në mënyrë që këtë projekt ta kthejmë në realitet të prekshëm për gjithë qytetarët e Tiranës.


Çfarë është bërë lidhur me dhënien e kompetencave minibashkive të Tiranës dhe kur do të kemi një ndarje të qartë mes kompetencave të pushtetit qendror dhe atij vendor?


Procesi ka nisur që në javën e parë të kësaj administrate dhe aktorët kryesorë kanë qenë kryetarët e njësive vendore. Kemi përgatitur një draft i cili po shikohet nga specialistët dhe në përfundim të këtij rishikimi ne do të dalim me një platformë të cilën do ia paraqesim Këshillit Bashkiak për miratim. Platforma siç e ceka edhe në fjalën time, do të nënkuptojë që qytetarët të marrin shërbimet sa më afër shtëpisë, vendit ku jetojnë, ndërkohë që kryetarët e njësive vendore të kenë jo vetëm kompetencat por edhe resurset, pra njerëzit, paratë, për t’i ekzekutuar këto kompetenca, ndërkohë që Bashkia e Tiranës do të ruajë gjithmonë pre-rrogativin për të kontrolluar se si këto kompetenca ushtrohen, ashtu si duhet, aty ku duhet, për t’u dhënë leverdinë maksimale qytetarëve të Tiranës.


Hipotekimi i apartamenteve


“Brenda këtyre 100 ditëve, ndonëse të penguar nga një numër problematikash objektive, arritëm të bëjnë evidentimin e plotë, të propozojnë masat përkatëse dhe të nisin zbatimin e një premtimi tjetër madhor, atë të realizimit të hipotekave, të pazgjidhura në qytetin e Tiranës. Faza e parë tashmë ka përfunduar me dërgimin pranë institucioneve përkatëse të të gjithë objekteve të pajisura me leje shfrytëzimi dhe brenda një periudhe tre katër javore, me përfundimin e lejeve të shfrytëzimit për të gjithë ato objekte, të cilat për shkak të burokracisë dhe zvarritjeve në bashkinë e Tiranës mbetën peng këtu në bashki, dhe faza e tretë që është edhe më problematikja është në rrugën e drejtë të zgjidhjes në bazë të mirëkuptimit të vendosur me institucione të tjera”. 


Plani Urbanistik


“Në procesin e Planit Urbanistik të Tiranës, në fokus nuk do të jenë ndërtuesit, por qytetarët dhe ndërtuesit dhe bizneset e tjera do të shikojnë se Bashkia do të jetë një partnere luajale për të ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe punësimin, si prioriteti ynë numër një por që asnjë çast nuk do të bjerë pre e klientelizmit dhe e planifikimit jo transparent që ka dëmtuar dhe vazhdon të gërryejë interesat e qytetarëve të Tiranës. Pjesë e këtij plani pa dyshim janë edhe ndërhyrjet emergjente, ato të cilat të kërkuara prej kohësh, të munguara prej kohësh kanë edhe impaktin më negativ në jetën e përditshme të qytetarëve të Tiranës, këmbësorë apo shoferë, pronarë automjetesh private apo përdorues të transportit publik”. 


Zhvillimi ekonomik dhe punësimi


“Brenda një kohe kaq të shkurtër unë futa në planin e 100-ditëve dhe realizova premtimin tonë kryesor, atë të heqjes së 60 tarifave dhe taksave dhe reduktimin e barrës fiskale në qytetin e Tiranës. Ky nuk është një premtim elektoral por është një bindje e thellë se vetëm nëpërmjet çlirimit të qytetarëve dhe bizneseve nga barra të pajustifikuara fiskale, nga taksa e tarifa të pajustifikuara, ne mund të arrijmë një partneritet të vërtetë mes Bashkisë së Tiranës dhe njësive të zhvillimit ekonomik të Tiranës, biznesit privat, qytetarëve të Tiranës dhe se kjo është mënyra e duhur për të ecur përpara me zhvillimin ekonomik të qytetit dhe krijimin e vendeve të lira të punës”. 


Thithja e investimeve 


“Nxitja e biznesit dhe e investimeve dhe bërja e Tiranës, qytetin më atraktiv për investimet është pjesë e përditshme e punës sime. Në këtë kuadër, ne kemi hedhur hapat e parë, për të planifikuar ndryshime në strukturën normative të Bashkisë së Tiranës si dhe hapësira për investime të huaja dhe të vendit, që nga një Park i Ri Teknologjik, që do të ofrojë mundësi punësimi për të rinjtë e sapo diplomuar si dhe mundësi për transferimin e njohurive, eksperiencës, teknologjive nga jashtë, këtu në Tiranë, por edhe këtu nga Tirana, veçanërisht në industritë e reja siç janë teknologjia e informacionit në tregun rajonal dhe evropian”.  


Karta e Studentit


“Tirana së shpejti do të ketë 100 mijë studentë dhe me këta 100 mijë studentë, qyteti dhe qytetarët e Tiranë, bashkia e Tiranës duhet të ndërtojë një marrëdhënie të fortë. Hapi i parë që po hedhim në këtë drejtim është Karta e Studentit, Karta Bashkiake e Studentit, për të cilën u nënshkrua javën e kaluar një marrëveshje me rektorët e 5  universiteteve publike të Tiranës dhe së shpejti do të hedh të njëjtin hap me rektorët e universiteteve private. Ofrimi i shërbimeve falas dhe me tarifa të reduktuara nga institucionet bashkiake, shtetërore, kulturore, regjistrimi i bizneseve të shumta, për të ofruar edhe ato shërbimet e tyre në këtë drejtim, janë hapa inkurajues që do i japin jetës studentore në Tiranë, dhe çdo studenti në veçanti lehtësira të mëdha në jetën e përditshme”.


Bulevardi i Ri, Lumi i Tiranës, Tramvaji


“Kemi përfunduar të gjithë punën parapërgatitore për të hapur konkursin për bulevardin e ri të qytetit të Tiranës, nga Stacioni i Trenit deri tek Lumi i Tiranës si dhe për rehabilitimin e lumit të Tiranës nga Ura e Brarit tek Ura e Kamzës, për ndërtimin e arteries, që pastaj do ta lidhë këtë vepër të madhe të infrastrukturës sonë, më të madhen në 80 vitet e fundit, me rezervuarin e Paskuqanit, për të ndërtuar atje një Park të Ri. Kemi përfunduar termat e referencës për Tramvajin e Tiranës dhe përkatësisht për dy drejtimet kryesore, Kinostudio-Kombinat dhe drejtimin veri-jug, ku do të përfshihet edhe arteria që tashmë do të projektohet nga hekurudhë në rrugë, për tramvajin, nga Stacioni aktual i Trenit, te Stacioni i ri në dalje të Tiranës, në zonën e Laprakës”. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›