E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritje pagash dhe pensionesh edhe për 2012-n, jo rritje të taksave

08-11-2011 / Gazeta 55

Shefi i mazhorancës garanton të gjithë shqiptarët se buxheti i vitit të ardhshëm parashikon një tjetër rritje pagash dhe pensionesh. Në buxhetin e 2012-s do jenë 80 milionë dollarë të destinuar për fondin e pensioneve. Gjithashtu kryeministri Berisha garanton se s’do ketë rritje taksash për biznesin, por do vijohet modeli aktual i ekonomisë, i cili është i suksesshëm dhe garanton rritje ekonomike


Buxheti i vitit 2012, më i madhi në historinë e vendit, ishte kryefjala e mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kryetari i PD dhe njëherazi kryeministri i vendit, Sali Berisha tha se buxheti i vitit të ardhshëm ka të përcaktuar mirë tre objektivat si kontrollin rigoroz të borxhit, deficitin buxhetor në ndër më të ulëtit në hapësirën europiane dhe inflacionin e kontrolluar. 


“Ky buxhet, do të jetë buxheti më i madh, që qeveria shqiptare ka paraqitur në parlament dhe që ju keni votuar deri më sot. Ndërkohë, që në buxhetin që ju do të diskutoni gjerësisht dhe do të votoni, kujdesi kryesorë i qeverisë, ka qenë respektimi i përparësive të kësaj mazhorance. Mbështetja e fuqishme e politikave të shpallura nga kjo mazhorancë, si politikat më prioritare. Natyrisht në këtë kontekst, jemi të gjithë dakord,  që skeleti makro ekonomik, apo struktura makro ekonomike, duhet të respektohet me çdo kusht dhe me çdo çmim. Pra, ruajtja e treguesve makro ekonomik, në nivele të shpallura nga qeveria dhe të pranuara botërisht si nivele të shëndetshme, përben kjo një përparësi madhore absolute, për ne. Ky është tipari më kryesor i të gjithë e veprimtarisë ekonomike të kësaj mazhorance. Ne gjetëm një borxh 72 për qind të prodhimit të brendshëm. Ne erdhëm në pushtet kur kreditë, huat përdoreshin për të paguar rroga dhe pensione. Ne, në sajë të reformës ekonomike dhe funksionimit të tyre ia kemi dalë, që duke ulur borxhin nën 60 për qind, duke mbajtur një deficit buxhetor të standardeve më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian, duke pasur një nga inflacionet më të kontrolluara në rajon dhe më gjerë dhe në hapësirën e Bashkimit Evropian. Ia kemi dalë të mbi dyfishojmë rrogat, e mësuesve, mjekëve infermierëve. Të dyfishojmë pensionet e ulëta, të dyfishojmë rrogën mesatare, të dyfishojmë rrogën minimale. Ia kemi dalë të asfaltojmë, ndërtojmë dhe rindërtojmë në mbarë vendi, mbi 9 mijë kilometra rrugë. Ia kemi dalë të mbështesim fuqishëm Shqipërinë dixhitale, ta nxjerrim nga honet ku ishte e vidhisur, sot në standardin Europian, jo të Bashkimit Evropian, në mesataren Europiane është fjala. Këto reforma ekonomike të zbatuara, kanë lejuar, por kushti i tyre ka qenë garantimi i stabilitetit makro ekonomik. Ndaj dhe ne sërish në këtë buxhet, vëmë si konditën më themelore, kontrollin rigoroz të borxhit, difiçitin buxhetor ndër me të ulëtit në hapësirën e Bashkimit Evropian dhe inflacionin tërësisht të kontrolluar. Duke përcaktuar  tre objektiva, natyrisht, sërish  jemi shumë të privilegjuar, sepse do të mund të mbështesim fuqishëm, axhendën tonë politike, objektivat tona të shpallura politike”, u shpreh Berisha. Sipas tij, edhe këtë vit që vjen, Shqipëria do të listohet, në më të paktat vende, që do të rrisin rrogat dhe pensionet. 


“Kjo është një politikë konstante e jona, natyrisht me një çmim të padiskutueshëm, mund tu them vetëm kaq, që nga vjet deri sivjet, fatura e  pensioneve rrihet me 80 milion dollarë. Po. 80 milion dollarë nga ky buxhet, më shumë se vitin e kaluar, për shkak të kontraktimit të rritjeve të mëparshme, do të kalojnë në fondin e pensioneve, fond i cili është mbi dyfishuar gjatë këtyre viteve, është rritur me mbi 100 përqind, por jam i bindur se kjo është një rritje e merituar dhe përbën një domosdoshmëri të madhe. Sërish vështirësitë  e pensionistëve janë serioze, por çdo njëri prej tyre, secili prej tyre e ka të qartë se kurrë ndonjëherë pensionet sa janë rritur këto vite nuk janë rritur më parë. As edhe njëherë tjetër”, tha Berisha. 


Duke prezantuar politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve, Berisha refuzoi kategorikisht propozimet e socialistëve për ndryshime në ligjin e taksave, çka nënkupton rritjen e tyre. 


“Nuk ka dhe nuk do të ketë, as edhe një rritje të vetme të taksave. Ky model ekonomik, i cili u bëri të mundur shqiptarëve, të shohin të realizohen në vendin e tyre, rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla të marra së bashku më shumë se në të gjitha kohërat. Ky model, ka si shtyllë kryesore këtë sistem taksash të ulëta, që ne kemi vendosur. Mos harroni se renditemi ndër më të paktat në vende, në të cilat regjistrohet ulje papunësie dhe jo rritje e saj, siç është sot, trendi, drejtimi në këtë krizë të madhe Europiane dhe botërore. Ndaj dhe unë dua të garantoj biznesmenët, se nuk ka dhe nuk do të ketë rritje taksash. Sistemi ynë është sistem suksesi, modeli ynë është model suksesi, i konfirmuar dhe i certifikuar tashmë, nga të gjitha institucionet ndërkombëtare. Ne do të bëjmë çmos ta konsolidojmë më tej, të rrisim transparencën të rrisim efiçencën e administratës. Në këtë buxhet janë pakësuar ndjeshëm shpenzimet operative dhe kjo është bërë në mënyrë, që të mund të mbajmë dhe të mund të mbështesim fuqishëm përparësitë, që ne kemi shpallur para zgjedhësve. Në mënyrë që secili prej jush, të takohet me zgjedhësit e vet me premtime të realizuara. Mbështetja e dytë e fuqishme pas rrogave dhe pensioneve mbetet  infrastruktura e vendit”, tha kryeministri. 


Për vitin e ardhshëm, tha Berisha, sfidë për buxhetin do jetë kompletimi i infrastrukturës rrugore, në infrastrukturën më moderne në rajon. 


“Shqipëria po shkon drejt finishit të infrastrukturës më të re, më moderne, në rajon dhe unë ju garantoj ju se për finalizimin e kësaj infrastrukture për asfaltimin e të gjitha rrugëve të këtij vendi, në çdo fshat dhe çdo komune, për të bërë realitet projektin, që çdo shqiptarë, të arrijë në kryeqytetin  e vendit duke kursyer jo më se 60 për qind të kohës së tij. Duhet jo më shumë se 1.5 miliard euro, ne kemi transformuar Shqipërinë. Në një vit kjo nuk mund të bëhet, por në dy ose tre vite kjo është 100 për qind e realizueshme dhe për te realizuar këtë ne prapë, po mbajmë ritmet më të lartë të investimeve në rrugët e vendit. Kemi parashikuar këtë vit po themi gjysmë miliard dollarë, por duhet të informoj këtu me transparence se përveç të parashikuarës, siç thotë francezi, të gjitha të ardhurat nga privatizimet do të shkojnë në infrastrukturë. Pra, infrastruktura sjell çlirimin e energjisë së tregut, e cila vërshon në të katër anët. Kështu që unë besoj se këtë përparësi ne e kemi përcaktuar shumë qartë dhe shumë drejt dhe duhet t’i qëndrojmë kësaj me çdo çmim, deri në fund. Do të investohen 1.5 miliardë euro që duhen për të finalizuar infrastrukturën më moderne të këtij vendi, pasi shumicën e kemi përfunduar. Ne nuk braktisim asnjë fshat, asnjë komunë të Shqipërisë, por do t’i japim asaj infrastrukturën më moderne”, theksoi Berisha. 


Shqipëria dixhitale, është një tjetër projekt madhor, i cili vitin e ardhshëm, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, do shohë dritën jeshile të përfundimit të tij. “Përparësia tjetër është teknologjia e informacionit, mosha dixhitale. Edhe kjo ka funksionuar. Në rast se ju kujtohet, në vitin 2006, kur ne e shpallëm këtë nismë, pati ironi dhe përqeshje, ndërsa në vitin 2011, dy javë më parë, në Raportin Global të Davosit, Shqipëria renditet e dyta në botë për indeksin e shpejtësisë së gatishmërisë së rrjetit. Kush mund ta imagjinonte një gjë të tillë! Në qoftë se kemi qenë në nivelin 4.8 për qind dhe kemi qenë 10 herë nën nivelin mesatar të Evropës - jo të BE-së, por të Evropës - sot ne jemi në nivelin mesatar  të Evropës, në 50 për qind të penetrimit të ICT-së.  Duhet të kapim nivelet e vendeve të BE-së dhe të ecim më tutje. Ndaj dhe ky buxhet ju jep mbështetje të plotë financiare projekteve më kryesore të Shqipërisë dixhitale. Viti 2012, 100 vjetori i Shqipërisë, duhet të kemi realizuar ‘Shqipëria dixhitale’”, tha më tej Berisha.


...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›