E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatin Shqiponjë të Përrenjasit

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Bashkia e Përrenjasit informon se vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatin Shqiponjë, në njësinë administrative Stravaj, bashkia Përrenjas.

Në njoftimin e bashkisë, thuhet se prej tri ditësh angazhimi i strukturave të emergjencës për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit vijon pa ndërprerje.

Ekipet e shërbimit zjarrfikës të bashkisë Përrenjas, në bashkëpunim me strukturat e tjera të angazhuara, po punojnë pa ndërprerje në një terren të vështirë për të vënë nën kontroll dhe shuar çdo vatër aktive zjarri.

Bashkia e Përrenjasit shpreh mirënjohjen për punonjësit e shërbimit zjarrfikës dhe të gjitha strukturat e përfshira në operacion, të cilët vijojnë punën në mbrojtje të jetës së qytetarëve, pronës dhe pasurive natyrore.

Njëkohësisht, u bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta, duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe duke njoftuar menjëherë autoritetet në rast se konstatojnë vatra zjarri.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›