E Shtunë, 31 Tetor 2026

UISH: Infermierët e pakualifikuar zbritje në kategori



Infermierët gjatë gjithë kohës do të jenë nën presionin e kualifikimeve profesionale. Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka kërkuar që kjo kategori nëpunësish të shëndetësisë t’i nënshtrohet kualifikimit të vazhdueshëm ose në të kundërt do të ketë zbritje në kategori. Ndërsa për të kualifikuarit do të studiohet mundësia deri në dyfishim të pagës mujore.

Kualifikimet

Kualifikim jo vetëm për mjekët, por edhe për infermierët. Këtyre të fundit do t’u duhet të djersitin për të mbajtur një vend pune, pasi si kriter kryesor do të jenë trajnimet dhe kualifikimet që duhet të marrin gjatë kohës së punës. Nga ky kategorizim shikohet se ndër më të rrezikuarit janë infermierët me arsim të mesëm, të cilët mund të zbresin në kategorinë e klasifikimit profesional në të ardhmen, duke kaluar në ndihmësinfermierë. Sipas Urdhrit të Infermierëve të Shqipërisë, nëse kjo kategori nëpunësish të shëndetësisë nuk u nënshtrohen kualifikimeve të vazhdueshme, rrezikojnë të mbeten pas edhe në emërime, në raport me ato që kanë mbaruar shkollën e lartë. Madje për këtë UISH-ja ka propozuar edhe krijimin e Qendrës Kombëtare për Edukim të Vazhdueshëm si dhe fillimin e studimeve për masterin në infermieri. Për këtë Urdhri i Infermierit të Shqipërisë thotë se infermierët, mamitë dhe fizioterapistët duhet të marrin pjesë në seminaret, trajnimet dhe konferencat që organizon ky institucion në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Ndaj, dhe për këtë ky urdhër ka organizuar Muajin e Infermierit, në periudhën e datave 12 prill – 12 maj me moton “Të punojmë së bashku për të ardhmen e profesionit tonë”. Gjatë këtij muaji, në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit, në të gjitha spitalet dhe në të gjitha drejtoritë e shëndetit publik, do të organizohen seminare, trajnime dhe konferenca rajonale, në të cilat do të diskutohen dhe gjenden zgjidhjet mbi arritjet dhe sfidat që i përkasin kujdesit shëndetësor tek ne. Kjo vjen në kuadër të kualifikimit të vazhdueshëm të stafit infermieristik.

“Do t’i jepet rëndësi kryesore rritjes së nivelit profesional, nivelit kulturor, autonomisë, komunikimit, sigurisë dhe saktësisë në veprime, zbatimit të ligjit dhe Kodit Etik Deontologjik të infermierëve, vlerësimit dhe përfaqësimit të këtyre profesionistëve në të gjitha nivelet administrative dhe politike të shëndetësisë shqiptare”, - shprehet zyra e shtypit të Urdhrit të Infermierit. Kjo mbetet si sfidë për rritjen e nivelit profesional dhe kulturor të këtyre profesionistëve në nivelin e kolegëve evropiane si edhe zbatimi me korrektësi i Kodit Etik Deontologjik për një përkujdesje sa më të mirë ndaj pacientëve.

Shalsi: Bashkia, padi Cekës e Palokës

Bashkia e Tiranës do të padisë një grup deputetësh për akuzat e bëra ndaj saj dje në seancën e Kuvendit. Nënkryetari i bashkisë, Eduart Shalsi, ka deklaruar se Neritan Ceka dhe deputetët e tjerë duhet t’i provojnë në gjykatë akuzat e tyre për lejet e ndërtimit. “Kemi vendosur të hapim gjyq ndaj Cekës, Palokës dhe cilitdo që shpif për të mbajtur në pushtet një shtet të kalbur. Deklarata me 30 lejet e ndërtimit për Delijorgjin duhet të vërtetohet në gjykatë”, - ka pohuar Shalsi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›