Kërkesa; Zgjatja e hetimeve, Fazlliç padit Prokurorinë
Biznesmeni anglo-boshnjak, Damir Fazlliç, ka paditur dje Prokurorinë e Tiranës për zgjatjen e afateve hetimore në ngarkim të tij. Burime zyrtare nga mbrojtja ligjore e z. Fazlliç u shprehën se kërkesa është dorëzuar në Gjykatën e Rrethit të Tiranës nga avokati i mbrojtjes i përfaqësuar me prokurë, Genc Gjokutaj. Padia mban numrin 771, ndërsa ka si objekt të saj ankimimin e zgjatjes së afateve të hetimit. Dje është hedhur edhe shorti elektronik, ndërsa gjyqtari i caktuar për të shqyrtuar këtë çështje është Gjin Gjoni. Në kërkesë, mbrojtja kërkon pushimin e vendimit të Prokurorisë për zgjatjen e hetimeve ndaj biznesmenit boshnjako-britanik, Damir Fazlliç, edhe një muaj. Gjykatësi i caktuar për shqyrtimin e kësaj çështjeje do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo kërkesën e palës paditëse. Në rast se gjykata vendos pro Fazlliçit, atëherë prokuroria duhet të pushojë menjëherë hetimet e saj. Biznesmeni anglo-boshnjak, Fazlliç, është nën hetim nga Prokuroria për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, hetime të cilat nisën më 8 tetor të vitit të kaluar.