E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, bllokohet formulari i preferencave

16/04/2009  Bazuar në rregulloren e Provimeve ministria duhej ta kishte miratuar A2 që më datën 1 Prill

Nis informatizimi në AVA i të dhënave të grumbulluara nga plotësimi i formularëve A1

Ndonëse kanë kaluar dy javët e para të muajit prill Ministria e Arsimit ende nuk ka publikuar formularin A2, nëpërmjet të cilit maturantët do të konkurrojnë për pranimet në universitete gjatë vitit të ardhshëm akademik. Sipas nenit 21 të detajuar në rregulloren e provimeve të maturës për 2009-ën, citohet se miratimi i këtij formulari nga MASH duhet të bëhet deri më datën 1 prill 2009, së bashku me udhëzuesin e procedurës së plotësimit. Por ashtu sikundër ndodh gjithmonë MASH, nuk ka respektuar këto afate, duke treguar se është ende herët për të nxjerrë formularin, kjo pasi në rregullore gjithashtu citohet se koha e plotësimit të formularit nga vetë nxënësit do të iniciojë në fillim të muajit qershor. Procesi i plotësimit të këtij formulari këshillohet që të bëhet pasi maturantët të jenë njohur me rezultatet e arritura në provimet e detyruara. Çka do të thotë se ata do të jenë në gjendje që të bëjnë vetë llogaritjet për të renditur ato degë të cilat mund ti bëjnë fitues.

Preferencat

Pavarësisht se ende nuk është publikuar formulari, ekspertët hartues pohojnë se këtë vit nuk do të ketë ndryshime në lidhje me preferencat, çka do të thotë se maturantët do të kenë sërish mundësi që të caktojnë dhjetë degët më të pëlqyera ku duan të ndjekin studimet e larta. Ajo çfarë ka ndryshuar këtë vit, në plotësimin e formularit do të jetë vetëm shtimi i disa degëve të reja që do të hapen pr herë të parë gjatë këtij viti. Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të nxënësve, po detajon të dhënat e dërguara nga drejtoritë arsimore në lidhje me plotësimin e formularit A1, ku maturantët kanë caktuar dy lëndët me zgjedhje që do të japin provim. Risi e maturës këtë vit ishte ruajtja e rezultateve për ata kandidatë që i kanë dhënë një herë provimet me zgjedhje gjatë viteve të shkuara, të cilët në konkurrimet e këtij viti mund të pranohen pa qenë të detyruar që të rihapin provimet. Për këtë, ata kanë plotësuar formularin A1Z, në të cilën janë përcaktuar lëndët që nuk duan të japin. Specialistët pohojnë se këta kandidatë mund të ruajnë këto rezultatet, por llogaritja e komponentëve përbërëse të maturës nuk do të bëhet mbi koeficientet e rinj të lëndëve me zgjedhje që janë miratuar këtë vit por me ato të një viti më parë. Në rast se nxënësi e ka dhënë më shumë se njëherë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon t’i njihet rezultati i saj,do t’i njihet rezultati i arritur në vitin e fundit kur e ka dhënë lëndën.

Numrat e regjistrimit

AVA, ka nisur ndërtimin e bazës së të dhënave të çdo kandidati, për pajisjen e tyre me një numër të veçantë regjistrimi, i cili do të jetë kodi i tij identifikues pas vlerësimit të provimeve. Sipas afateve të përcaktuara në rregullore, kjo agjenci duhet të dërgojë zyrtarisht, deri më 2 maj, në Komisionet e maturës që funksionon në drejtoritë arsimore njoftimin ku jepet numri i regjistrimit të çdo nxënësi sipas shkollës të rrethit përkatës. Ndërkohë që nxënësit do të njihen me këto kode pas afishimit të tyre në ambientet publike të shkollës një ditë pas mbylljes së viti mësimor. Gjatë kësaj kohe, bëhet dhe përpunimi i të dhënave për nxënësit të cilët rezultojnë mbetës, këta të fundit nuk kanë të drejtë që të marrin pjesë në provimet e maturës për këtë vit akademik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›