E Shtunë, 31 Tetor 2026

UÇK, Kermabon: Bashkëpunim për të vërtetën

Tiranë - Shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon shprehu të premten gatishmërinë për të zbardhur të vërtetën mbi akuzat e ngritura nga ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla Del Ponte, për trafik organesh të qenieve njerëzore gjatë kohës së luftës në vitin 1999 në Kosovë. Gjatë një konference për shtyp në Tiranë, me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, de Kermabon i është përgjigjur interesimit të medias për çështjen në fjalë, duke deklaruar se "jemi të gatshëm për të nxjerrë në dritë të vërtetën".

Ndërsa përfaqësuesi i drejtësisë në Misionin e Bashkimit Evropian për Drejtësi dhe Rregull në Kosovë, (EULEX), Alberto Parduca, në një konferencë për shtyp në Tiranë, ka deklaruar se më parë duhen fakte, për të provuar akuzat e ngritura ndaj UÇK-së.

“Së pari duhet të studiohen faktet, duhet të shihet nëse faktet janë të vlefshme për të hapur një procedim. Ne në Kosovë jemi në këtë pikë,"-tha Parduca. Komentet mbi këtë çështje, Parduca i bëri në një konference për shtyp në Ministrinë e Drejtësisë, në prani të ministrit të Drejtesisë, Enkelejd Alibeaj dhe Shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Drejtësi dhe Rregull në Kosovë, (EULEX), Yves de Kermabon.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›