E Shtunë, 31 Tetor 2026

UKT, kërkesë për rritjen e çmimit të ujit

Këtë e bëri të ditur sot, gjatë një konference për shtyp, drejtori i UKT-së Sahit Dollapi, i cili theksoi se rritja e propozuar është 22 lekë/m3. Rritjen e çmimit Dollapi e argumentoi të nevojshëm në vizionin e projekteve që kjo ndërmarrje ka për të ardhmen, duke theksuar se “në 2013-n, qytetarët e Tiranës do kenë ujë 24 orë”.

“Ky objektiv - vijoi më tej kreu UKT-së - nuk mund të arrihet pa një buxhet të mjaftueshëm dhe pa të ardhura të qëndrueshme. Dhe kurrsesi nuk mund të arrihet nëse uji, malli që ne prodhojmë, shitet nën kosto, siç ka ndodhur deri më sot”.

Një rritje më e madhe propozohet për entet buxhetore, për të cilat çmimi rritet me 40 lek/ m3, kurse me 30 lek/ m3 propozohet rritja e çmimit për entet private. Për prodhimin e pijeve alkoolike, pijeve freskuese dhe ujit të ambalazhuar, propozohet një rritje akoma më e madhe, 60 lek/ m3. Ashtu si një vit më parë, Ujësjellësi i Tiranës ka përjashtuar nga propozimi për rritjen e çmimit furrat e bukës, ku mbetet i pandryshuar, 95 lek/ m3.

Dollapi tha se “kërkesa është e drejtë dhe e ndershme, sepse, nga njëra anë çmimi i ri që propozohet barazohet me koston e prodhimit të ujit, dhe nga ana tjetër, është i përballueshëm nga popullata dhe kategoritë e tjera konsumatore”.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-11-26 16:32
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›