E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNESCO alarm: Të ruhet arkitektura e Gjirokastrës

Të gjitha objektet që janë në restaurim në qendrën historike të Gjirokastrës, duhet t’i nënshtrohen këtij procesi në përshtatje me arkitekturën mesjetare; sipas ekspertëve të UNESCO-s, me qendër në Venecia (Itali), të cilët ditët e fundit kanë inspektuar zbatimin e projektit “Restaurimi i Qendrës Historike të Gjirokastrës”.

Projekti me vlerë 1.3 milion dollarë, financim i qeverisë shqiptare po zbatohet nën kujdesin e UNESKO-s në shtatë objekte të kategorisë së parë në qendrën muzeale të qytetit në jug të vendit. Projekti nisi nga zbatimi në javën e dytë të muajit të kaluar dhe synon rikthimin në indentitet të objekteve monumentale si dhe rikonstruksionin e plotë të fasadës në Zonën Muzeale, pasuri botërore e UNESCO-s.

Drejtori i Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze të Gjirokastrës, Rajmond Kola, tha se, “rekomandimi i ekspertëve të UNESKO-s ka si qëlllim kthimin e vlerave të humbura, si dhe mundësi për të thithur sa më shumë turistë vendas dhe të huaj.

Sipas tij, specialistët e huaj rekomanduan edhe zhvendosjen e gjithë antenave satelitore dhe pajisjeve të kondicionereve, pasi ato dëmtojnë dhe prishin imazhin e qytetit karakteristik. “Bashkia e Gjirokastrës, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës (IMK), Zyrën e Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze të Gjirokastrës (ZAKQMGJ), si dhe me Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, duhet të përgatisë panele identifikimi të kuptueshme dhe të njëjta për të gjitha dyqanet, restorantet, hotelet etj”, tha z. Kola, i cili shtoi se i takon pushtetit vendor të njoftojë të gjithë pronarët e ndërtesave ku do të kryhen punime, në mënyrë që të merret pëlqimi i tyre për kryerjen e punimeve.

Sipas ekspertëve të Organizatës së Trashëgimisë Botërore(UNESCO), pushteti vendor dhe tre institucionet e specializuara duhet të kujdesen që qepenat dhe tendat e të gjithë dyqaneve në pazarin karakteristik të jenë të të njëjtit material, ngjyrë dhe formë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›