E Diel, 1 Nëntor 2026

Mentaliteti, integrimi dhe diplomacia shqiptare



1. Mentaliteti i ri dhe identiteti shqiptar

Teza e njohur se integrimi i Shqipërisë në familjen euro-atlantike kërkon dhe do të kërkojë një kulturë dhe qytetar shqiptar ndryshe, pra evropiano-perëndimor, përbën një proces që ka filluar që me instalimin e demokracisë në fillim të viteve ‘90 dhe që, në thelbin e vet, do të thotë të kemi një qytetar modern evropian, në bazë të të cilit të qëndrojnë elementet social-kulturore me një mentalitet të ri të dimensionit evropian.

Gjatë kësaj periudhe, që ka përfshirë gati dy dekada, qytetari shqiptar është duke udhëtuar e jetuar kohën e ndryshimit të vetvetes për t’u ndier në thelb evropian, manifestuar kjo në sjellje, komunikim, mendim, gjykim dhe në një veprim të ri në jetën e tij kudo: shkollë, familje, njësi të aktivitetit të tij ekonomiko-kulturor apo në bashkësinë ku ai jeton.

Ky është një transformim i madh dhe gjithëpërfshirës i kulturës materiale dhe shpirtërore që qytetari dhe shoqëria shqiptare kanë ndërmarrë ndonjëherë me vetëdije dhe objektiv të qartë në histori dhe që do të ketë për rezultat final formimin e një mentaliteti shqiptaro-evropian, të çliruar gradualisht sa nga elemente të vjetra ende të ruajtura në psikikën e tij - që datojnë ndoshta edhe nga periudha otomane - aq edhe nga ai komunist dhe “njeriu i ri” i formuar në atë sistem, rrënjët e të cilit fatkeqësisht janë futur thellë në ndërgjegjen dhe psikikën tonë shqiptare.

Në këtë mënyrë dhe nëpërmjet procesit që quhet integrim qytetari dhe shoqëria shqiptare dëshiron të rifitojë identitetin evropian.

Por, nga ana tjetër, integrim nuk do të thotë shuarje, braktisje, absorbim apo shkrirje totale të mentalitetit shqiptar dhe transformim bazik të tij në atë që thuhet evropian, pasi kështu do të rrezikohej humbja, sidomos të disa vlerave sociale dhe kulturore, madje dhe traditave të spikatura të kombit tonë të cilat i kanë rezistuar edhe traumave më të mëdha që psikika shqiptare është dashur të përballojë në rrjedhën e saj historike. Prandaj, transformimi i mentalitetit shqiptar nga iliro-shqiptar (pra, evropian i pastër) në otomano-shqiptar “me dhunë dhe me gunë” dhe më tej, në atë shqiptaro-evropian – fillimi i rikthimit në familjen tonë evropiane pas pavarësisë, por që u shkëput dhunshëm nga sistemi komunist, i cili vetë krijoi qytetarin komunisto-shqiptar për gjysmë shekulli dhe ka dy dekada që e kemi lënë pas duke u rikthyer të qytetari evropiano-shqiptar – nuk do të thotë të biem përsëri në “evropomani” duke e rënduar edhe më tej vështirësinë e formimit historik të psikikës shqiptare, pavarësisht se të gjithë shqiptarët janë të ndërgjegjshëm dhe plotësisht të prirur të ecin shpejt në atë drejtim ku ”dielli lind andej nga perëndon”.

Kjo, mendoj unë. është kështu jo vetëm për vështirësitë që paraqet dhe çorientimi që mbjell në mentalitetin e njeriut shqiptar, por edhe se vetë Evropa është Evropa e vlerave të ndryshme, që lufton dhe mbron diversitetin e kombeve që e përbëjnë, kryesisht në fushat e kulturës, traditës apo gjuhës ku, secili anëtar i saj “merr dhe jep”, por edhe ruan dhe madje me fanatizëm identitetin e tij brenda atij diversiteti që e përbën familjen tonë evropiane.

2. Mentaliteti i ri dhe politikat e integrimit

Që qytetari shqiptar të arrijë - ai vetë, si individ i lirë - të ndihet i integruar duke përqafuar vlerat e reja të servirura nga hapësira e lirë evropiane dhe, nga ana tjetër, të mund të ruajë të tjera vlera që vijnë nga përkatësia e tij kombëtare, është pothuaj e pamundur. Është e qartë që individi shqiptar, qytetari i lirë në demokraci, kërkon dhe dëshiron, edukohet dhe punon që mentalitetin modern ta bëjë pjesë të psikikës dhe ndërgjegjes së tij qytetare p.sh. në fushën e arsimimit, kulturës, veprimtarisë ekonomike dhe shoqërore, administratës dhe në shërbimin publik etj. Por, sado inteligjent dhe me kapacitet që të jetë, ai e ka shumë të vështirë që të thithë dhe asimilojë vlerat e duhura moderne evropiane, të cilat dëshirohen apo vijnë natyrshëm në dhe gjatë procesit të integrimit. Dhe, ai e ka të vështirë gjithashtu të bëjë seleksionimin dhe zgjedhjen e duhur mbi ruajtjen e vlerave të traditës së tij në ballafaqim me ato evropiane.

Mentaliteti i ri ka të paktën dy drejtime themelore formuese. Së pari, ai ndryshon dhe fitohet nga qytetari shqiptar në përgjithësi dhe nga zyrtari i administratës publike në veçanti gjatë zbatimit të politikave integruese të institucioneve tona sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit sot, dhe asaj të anëtarësimit nesër apo të një seri formash bashkëpunimi mes subjekteve publike e private dy dhe shumëpalëshe mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BE-së. I gjithë ky fluks lidhjesh përbën një tërësi objektivash, masash dhe projekte që, në një mënyrë a një tjetër, detyrojnë ndryshimin e mentalitetit shqiptar në drejtimin e kërkuar dhe dëshiruar. Forma e dytë ka të bëjë me rastin kur qytetari shqiptar është tashmë në nivelin e duhur që kërkohet duke u shprehur i gatshëm të zbatojë politikat integruese dhe vetë jetën qytetare evropiane. Një qytetar i tillë e ka fituar mentalitetin e ri në procesin e edukimit, arsimimit dhe jetës që bën brenda një familjeje dhe komuniteti me dimension evropian. Por, edhe kjo nuk mjafton.

Në një shoqëri të lirë, të hapur dhe demokratike rrymat që vijnë nga jashtë – tablo, skena, mendime dhe veprime në fushat politike, të kulturës (muzikë, kinematografi, edukim estetik etj.), letërsisë, sociologjisë, familjes etj., dhe ato që vijnë nga brenda – tradita, zakone apo doke etj. – përplasen në psikikën e qytetarit në ndryshim shqiptar. Dhe, nëse në këtë proces nuk ndërhyhet me politika kulturore, edukative apo sociale, atëherë rrezikohet arritja solide e mentalitetit të ri që kërkohet: shqiptaro-evropian.

Është detyrë jo vetëm shtetërore, por edhe intelektuale që të angazhojnë forcat e tyre në ndriçimin e rrugës për të gjithë shqiptarët dhe për të gjitha shtresat sidomos të brezit të ri. Është dhe janë pikërisht politikë dhe kulturorë-bërësit në nivel të organizuar shtetëror dhe shoqëror ata që orientojnë, drejtojnë dhe kanalizojnë energjitë, dëshirat dhe shijet e qytetarit tonë duke i dhënë drejtimin e duhur jetës dhe veprimtarisë së tij si në ruajtjen e vlerave shqiptare pozitive, ashtu dhe në asimilimin e atyre evropiane moderne.

Kështu që veprimtaria e institucioneve shqiptare si dhe atyre joqeveritare me dimension mentalitetin e ri të qytetarit shqiptaro-evropian përbën themelin e të gjitha proceseve integruese në vendin tonë.

3. Mentaliteti i ri dhe diplomacia

Diplomacia dhe diplomatët janë mesazheri i parë zyrtar dhe i drejtpërdrejtë i imazhit të ri të Shqipërisë dhe shqiptarëve në gjirin e familjes evropiane, pra reflektues të mentalitetit të ri që kërkohet. Ky i fundit nuk është i vështirë të shfaqet dhe kuptohet nga diplomacia dhe zyrtarët evropianë si në Bruksel, ashtu dhe në vendet anëtare të BE-së. Në këtë atmosferë lidhjeje dhe bashkëpunimi të ndërsjellë janë diplomatët ata që zbatojnë në mënyrë sa më kreative strategjitë politike për ndërtimin e marrëdhënieve pozitive, si dhe zgjidhjen e çështjeve, problemeve apo mosmarrëveshjet që duhen kapërcyer në linjën e integrimit të Shqipërisë në BE dhe NATO si dhe në rritjen dhe lartësimin e imazhit të vendit tonë në Evropë dhe më gjerë. Në këtë këndvështrim, qytetari shqiptar diplomat përbën dhe është në thelb shfaqja e prirjes së mentalitetit të ri evropian bashkë me konservimin e traditave pozitive të shqiptarëve.

Sigurisht, një diplomat i ri me mentalitet të ri është dhe do të jetë produkt i një të ardhme më evropiane të Shqipërisë. Veprimtaria e tij, e kombinuar me shumë kujdes me praktikat dhe eksperiencat pozitive të brezave të tjerë të mëparshëm – përbën në thelb diplomatin shqiptaro-evropian modern.

Kjo frymë dhe mentalitet i ri është realisht prezent në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme dhe në trupin diplomatik shqiptar jashtë shtetit. Rastet sporadike të devijimeve nga kjo rrymë dhe ky mentalitet i ri nuk përbëjnë veçse anekse të vogla të hapësirës së lirë në mendimin dhe veprimin e diplomatit të sotëm shqiptar me dimension aplikimin e një diplomacie publike rezultative.

A mund të thuhet se diplomati i sotëm është në gjendje të përballet lirshëm dhe si i barabartë me atë evropian?

Unë mendoj se po. Por, nuk duhet marrë si punë e kryer dhe si vetëkënaqësi.

Ka një strategji të plotë, me objektiva të qartë dhe me masa e projekte konkrete të ndërmarra në dhe për të gjithë stafin diplomatik që shërben brenda dhe jashtë vendit, realizimi i së cilës rezulton në formimin hap pas hapi të një diplomati me mentalitet të ri modern.

Është ky formim me mentalitetin e kohës që i ka dhënë diplomatit shqiptar mendim të lirë dhe iniciativë, guxim dhe veprimtari krijuese që ka rezultuar në arritjet konkrete të politikës së jashtme të Shqipërisë së sotme. Është kjo përballje që do ta çojë më tej dhe ngrejë më lart kapacitetet dhe profesionalizmin e diplomacisë shqiptare në funksion të integrimit euro-atlantik, rolit konstruktiv të vendit tonë në politikat rajonale, konsolidimit të demokracisë sonë dhe mbështetjen ndaj shtetit të ri të Kosovës.

Brenda një strategjie dhe politike të qartë të shtetit dhe qeverisë shqiptare, ajo që kërkohet më shumë në situatat e tanishme të integrimit dhe lartësimit të emrit dhe vendit të Shqipërisë në Evropë dhe më gjerë, është e lidhur me angazhimin, drejtimin, kanalizimin e energjive dhe potencialeve të reja të diplomatit të ri, mbartës i mentalitet të ri shqiptar.

Përfundimi do të ishte se sa më shumë forcohet dhe shpejtohet procesi i integrimit, sa më shumë që Shqipëria dhe diplomatët tanë janë “brenda” Evropës, aq më shumë rriten dhe konsolidohen kapacitetet dhe profesionalizmi i diplomatit shqiptar, të cilat janë rezultat sa i imponimit që vjen nga ballafaqimi me nivelin e lartë të diplomacisë evropiane, aq edhe nga parapërgatitja që diplomati ka fituar tashmë në sajë të edukimit serioz brenda dhe jashtë vendit mbi bazën e një seri projektesh serioze të ndërmarra nga Ministria jonë e Jashtme.

Është jo i lehtë formimi i brezit të ri të diplomatëve të rinj me mentalitet të ri, por është rruga e vetme e përballimit të proceseve integruese në familjen evropiane dhe përfshirjes në të me identitetin shqiptar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›