E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk pyesim për Oskar

 

Filmat që kanë fituar Oskar rezultojnë më pak të ndjekurit në kinema. Publiku shqiptar nuk i preferon filmat impenjativë e temat e forta. Në krye të listave, komeditë

Nëse është fitues Oskarësh ose jo, ka pak rëndësi. Mjaft të jetë argëtues. Për admiruesit e ekranit të madh, për frekuentuesin e kinemasë në Tiranë, fakti që një film është i vlerësuar nga kritika apo akademitë amerikane dhe evropiane, nuk ngre peshë. Madje as një aktore e bukur, apo një kast i tërë i mrekullueshëm nuk josh. Është aq e vërtetë saqë filma të tillë, fitues, tepër të lakuar për tematikën, apo revolucionin në teknologji, kanë ndenjur fare pak ditë në kinema, pasi nuk kanë arritur të tërheqin vëmendjen e publikut. Ky ishte fati i dy prej filmave më të fundit të shfaqur në Kinema "Millenium" në Tiranë. Si filmi "No country for the old men" ("Nuk ka vend për pleq"), fitues i 4 çmimeve "Oskar" në edicionin e fundit të Academy Aëards, ashtu edhe "Atonement" ("Shlyerja"), fitues i një çmimi "Oskar" dhe i nominur për gjashtë të tjerë, ndenjën vetëm 7 ditë në kartelonin e kinemasë dhe deri tani renditen ndër filmat me shikueshmërinë më të ulët. Sipas zëdhënëses për shtyp, pranë "Millenium", Rovena Rrozhani, numri i pakët i shikuesve gjatë filmit "Atonement" justifikohet me ngjarjen tragjike të Gërdecit. Filmi nisi të shfaqet pikërisht ditën e ngjarjes. "Atonement" trajton një histori dashurie tragjike dhe pas një tronditjeje të tillë, njerëzit nuk ishin të gatshëm ta ndiqnin", - thotë Rrozhani. Ndërsa filmi i vëllezërve Coen "No country for the old men" ishte i "destinuar" për të qenë pak i ndjekur. "E dinim që në fillim që ky film nuk do të ndiqej nga një publik i gjerë. Filmi u ble për të sjellë në Tiranë kinemanë alternative, ato vlera të cilat duhet t'i vijnë publikut. Ishte i nevojshëm qoftë edhe për 10 njerëz që donin ta shihnin", - thotë Rrozhani. Ndërsa mësohet se mesatarja e shikueshmërisë së tij arriti në 100 shikues në ditë. Filmi duhet të shfaqet edhe në kinematë e rretheve, megjithatë Tirana mund të konsiderohet si matësi kryesor i shikueshmërisë. Interes për këtë film kanë treguar kryesisht artistë (të fushave të tjera) dhe gazetarë.

Ndjekje jo të mirë ka pasur edhe "A Mighty Heart", mbështetur në historinë e rrëmbimit dhe vrasjes së gazetarit Daniel Pearl, ku interpreton aktorja Angeline Jolie. Por ndryshe nga herët e tjera, Jolie nuk na shfaqet sensuale e luftarake. Ajo është një grua që përballet me një dramë shumë të rëndë në jetën e saj. Për të ky është një nga rolet më të mirërealizuara, kritika e ka vlerësuar gjithashtu, por jo publiku shqiptar, që ka një tjetër imazh në kokë për bukuroshen.

Në serinë e pak të ndjekurve është edhe "Lions for lambs" ("Luanë për qingja"), ku interpretojnë divët e kinemasë botërore Robert Redford, Meryl Streep e Tom Cruise. Filmi u rendit në 5 filmat më pak të ndjekur për vitin që kaloi në Kinema "Millenium". I njëjti fenomen ka ndodhur edhe në vitet e mëparshme. Në krye të listës së klasifikimit, për numrin më të madh të shikuesve renditen komeditë, filmat fanta-shkencë e sagat historike. Përfundimisht për publikun shqiptar kinemaja është një vend argëtimi, ku mund të largosh stresin e ditës, e filma impenjativë me tema të forta, siç mund të jetë lufta në Irak, apo historia e një gazetari të rrëmbyer, nuk janë shumë të preferuar. "Ky fenomen, i cili nuk ndodh vetëm tek ne tregon edhe njëherë se mendimi i kritikës nuk ecën paralelisht me pëlqimin e publikut. Jemi shumë të ndërgjegjshëm për këtë, por deri sa të ketë filma të mirë, ata nuk do t'i mungojnë kinemasë", - thotë Rrozhani, e cila shton gjithashtu që në një moment më të përshtatshëm, "Atonement" dhe "No country for the old men" do të rishfaqen edhe një ditë të vetme, për t'u dhënë tjetër mundësi atyre që nuk mundën t'i ndiqnin gjatë ditëve të tragjedisë së Gërdecit. "Millenium" që nuk ka paguar pak për këta filma (çmimi, zhdoganimi e tvsh-ja) dhe nuk mundi të nxjerrë as "paratë e veta", ofron një mundësi tjetër, edhe pse e di që kanë një kundërshtar shumë të fortë: piraterinë. Për të mos thënë që më parë, filmat që shfaqen në kinema, shiten njëkohësisht nëpër videoteka, të subtitruara në shqip, me një çmim qesharak prej 200 lekësh. Kështu që derisa pirateria të vazhdojë sheshit, derisa publiku ta quajë kinemanë vetëm një vend argëtimi, filma si "Atonement", apo ai i vëllezërve Coen do të vazhdojnë të jenë pak të ndjekur dhe do të dalin shpejt nga kalendarët e kinemave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›