Ca radhë për veten dhe çmime për "servilët"
Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës, ja si do kujtohet në Shqipëri
Data 18 prill është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës dhe viteve të fundit po kujtohet edhe në Shqipëri. Përkundër heshtjes gjatë një viti të tërë, 18 prilli është moment që mund të shfrytëzohet për të folur për monumentet, për problematikën, për projektet. Moment sensibilizimi shtetëror e qytetar për të investuar dhe mbrojtur këtë pasuri të të gjithëve. Këto ditë institucionet e fushës po shpallin kalendarët e aktiviteteve. Deri këtu jemi në rregull. Problemi qëndron tek përmbajtja.
Dje Instituti i Monumenteve të Kulturës shpalli kalendarin e vet. Sot, nesër e pasnesër "paraqiten" temat "Berati në UNESKO", "Shkolla e Restaurimit" dhe prezantohet më në fund faqja e internetit të IMK-së. Aktivitetet zhvillohen në ambjentet e IMK-së. Sado interesante të jenë temat, si zor që të ngrihen njerëzit e të shkojnë deri në Kinostudio, ku ndodhen zyrat e Institutit. Nëse aktiviteti nuk ka një ndjekje të gjerë, atëherë për kë zhvillohen? Nëse janë programuar vetëm për punonjësit e institutit, atëherë nuk është e nevojshme të shpallet kalendar. Në datën 18 prill, zbritet në qendër. Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar hapet ekspozita fotografike "Monumentet më tërheqëse të Shqipërisë", ku do të ketë edhe një ceremoni me rastin e Ditës së Monumenteve. Njëkohësisht parashikohen veprimtari të tilla në Berat, Gjirokastër, Korçë, Shkodër, Lezhë, Krujë, Dibër, Apolloni, Butrint, Elbasan etj.
Interesant paraqitet kalendari i Zyrës për Administrimin dhe Koordinimin e Parkut Arkeologjik të Antigonesë. Njoftimi i ardhur nga kjo zyrë, që mban sipër kokën (vulën) e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, shpjegon gjithçka më në detaje. Përurime, projekte, plane menaxheriale, paketa promocionale, fletëpalosje, udhërrëfyes, madje edhe stilolapsa me logon e Antigonesë. Në ditën e monumenteve, një "nderim" edhe për shtypin. Do të hapet një ekspozitë me materialet e botuara për Antigonenë në "shtypin qëndror, lokal dhe periodik". Qershia mbi tortë është dhënia e Çmimit Vjetor "Mirënjohja e Antigonesë". Sipas njoftimit çmimi i jepet "gazetarit që ka shkruar me shumë dhe cilësisht më mirë për Antigonenë gjatë vitit 2008". Eh, sigurisht, çmime vetëm për ata që shkruajnë mirë, që bëjnë elozhe, sepse të tjerët, që bëjnë kritika konsiderohen si "armiq". Dhe fenomeni nuk është i veçuar. Këtë e bëjnë edhe institucione ca më të rëndësishme se Parku i Antigonesë. Shpërndahen çmime morale a materiale, për gazetarët që preferojnë "të mos ngatërrohen" e të mos i thonë gjërat edhe pse janë të dukshme, ndërsa për të tjerët ka edhe "penalizime" me mungesë në dhënien e informacionit. Por ka edhe nga ata që përdorin një taktikë më të "zgjuar". Hedhin "dy lekë" për t'i "zënë gojën" ndonjë gazetari që i bezdis. Mënyra të ulëta që nuk nderojnë askënd.