PS: Mbështesim punën e Ina Ramës
PS është e gatshme që të votoje heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut
TIRANË- Partia Socialiste i jep mbështetje maksimale Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar jo vetëm ngjarjen e Gërdecit, por edhe një sërë skandalesh të tjera, që janë objekt i hetimit nga organi i akuzës. Kryetari i Komisionit të Ligjeve të Asamblesë Kombëtare në PS, Ylli Manjani, ka deklaruar dje se përkundrejt qëndrimit të mazhorancës, PS mbështet punën e Prokurorisë dhe pa asnjë kusht do të votojë pro heqjes së imunitetit të çdo personi me imunitet për të cilin organi i akuzës do të kërkojë që të hetojë lirisht. Qëndrimi i Partisë Socialiste vjen në një kohë, kur jo vetëm Këshilli i Rregullores dhe Imuniteteve po e shtyn diskutimin për imunitetin e Mediut, por edhe kur vetë PR po kërkon të ndërhyjë deri tek Presidenti i Republikës për të riparë punën e kryeprokurores, Ina Rama. "Prokuroria duhet të marrë të gjithë kohën dhe hapësirën e nevojshme për ta hetuar imtësisht këtë ngjarje si edhe një sërë skandalesh të tjera, për të cilat presim rezultate konkrete e të pavarura prej gjykimeve politike. Në këtë kontekst PS mbështet pa asnjë kusht punën e prokurorisë dhe pa asnjë kusht do të votojë pro heqjes së imunitetit të çdo personi me imunitet në këtë shtet për të cilin organi i akuzës do kërkojë të hetojë lirisht", tha dje Manjani, duke lënë të kuptoje qartë se ky do të jetë qëndrimi i PS-së kur të diskutohet edhe imuniteti i Mediut në Kuvend. Manjani i ka bërë thirrje kryeministrit dhe të gjithë eksponentëve të mazhorancës që "të ndalin shigjetimet e tyre të palejueshme ndaj Prokurorisë së Republikës dhe të përpiqen se bashku me ne për ta çliruar përgjithmonë Prokurorinë nga duart e politikës, të cilat s'mund të pastrohen duke ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur në letër e të asfiksuar politikisht ne realitet"."Kjo mazhorancë që propagandon prej kohësh nevojën e heqjes se imuniteteve, sot është kapur fort pas imuniteteve të ministrave të saj të akuzuar dhe madje po tenton ta kushtëzojë, direkt ose indirekt po krejt dukshëm, Prokurorinë e Republikës në vend se te kalojë në seancë plenare kërkesën e saj për imunitetin e ish-Ministrit të Mbrojtjes. Ne e konsiderojmë hetimin për ngjarjen e Gërdecit si jetik për besueshmërinë e organeve të hetimit e të gjykimit dhe jemi të angazhuar për t'i krijuar Prokurorisë së Republikës kushtet e nevojshme për të bërë punën e pakushtëzuar nga politika e deklaratave", tha ai .